I thirrrur në një mocion me debat nga opozita për përjashtimin nga skema e ndihmës ekonomike të më shumë se 20 mijë familjeve, Kryeministri Rama iu përgjigj akuzave duke ironizuar takimet që Lulzim Basha ka zhvilluar me disa prej tyre. Ironisë së tij nuk i shpëtoi as halli i madh, që ai tha se e ka zënë së fundmi Lulzim Bëshën, duke nënkuptuar kontratat e lobimit të Partisë Demokratike në Uashington.

“Ta thashë edhe herën tjetër që kur t’i takosh, bën mirë që i takon, por drejtoi aty ku mund të marrin ndihmën, dhe mos i përdor për të dalë në foto që të dukesh sikur qan hallin e të varfërve, ndërkohë e di vetë se çfarë halli ke për të qarë tani që po flasim. Ke vizituar familjen Ardjan Dani në Lezhë, është përfshirë dhe sot merr ndihmë ekonomike. Ke vizituar zotin Ilir Ibrahimi në Kamëz edhe ky është përfitues. Te zoti Ylber që ke derdhur lot krokodili, po të them se edhe te zoti Ylber zyrat përkatëse e kanë kontaktuar dhe do ta mbështesin për të filluar punë”

, u shpreh Kryeministri.

Në kundërpërgjigje, Lulzim Basha tha se përfshirja në skemën e ndihmës ekonomike dhe mundësia e punësimit për këto familje erdhi vetëm pas denoncimit të opozitës. Kryeministrin e akuzoi se nuk ka hapur vende të reja pune dhe se paratë e shqiptarëve po i ndan me miqtë e tij.

“Tani fajin per mijëra familje pa ndihmë e ka përsëri opozita, jo ky që i hoqi. Na paska vende pune po këta s’duan të punojnë. Ata kanë kërkuar dhe ti nise servilët e tu deri sa t’u gjeje vende pune. Ku janë shtuar këto vende pune? Në cilat uzina e biznese na i paskan hapur këto vende pune? I thua dembelë. Këta të koncensionarit që marrin para pa punuar çfarë janë? I jep Vilmës para pa punuar fare. Ka dhënë miliona për miqtë pa punuar fare dhe akuzon shqiptarët se s’duan punë”

, tha Lulzim Basha.

Hallin që ia përmedi më herët kryeministri, e përforcoi në vijim të seancës kreu i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla, i cili publikoi kontratën e lobimit që sipas tij mban firmën e Lulzim Bashës dhe “Muzin Capitol Partners”.

“Ke firmosur ti në kontratë, ja numri i pasaportës Lulzim dhe Muzin, është detyrim ligjor të ishte depozituar në KQZ. Brenda stafit tënd ke njerëz që kanë marrë kontakte me këta njerëz për të destabilizuar Shqipërinë. Ku i gjete 500 mijë Dollarët tavarish Luli. Nuk kishte faj Jozefina, ku e ke futur pa leje Partinë Demokratike. Je berë Zhelezhnovi. Mos u fshih Lulzim pas Ristanit, se di ai çfarë ke berë ti, edhe këtë firmë e ke hedhur ti në shqip, mbaro dy minuta dhe shko në prokurori”

, deklaroi Balla.

Pas akuzave të mazhorancës, Basha tha se fshihet përpjekja e Kryeministrit për të fshehur lidhjet mes tij dhe 613 kg të kokainës së sekuestruar në Durrës.

“Ku ka shkuar tani? Të takojë Tahirin, që e takon vjedhurazi nëpër skutat e spitaleve dhe shpikin sëmundje të paqena se kanë një sëmundje të përbashkët, jo atë që konsumojnë të dy, por atë që e sjellin me kontenierë, i kanë këmbët në një këpucë. Lërini përrallat me rusë, por shikoni faktet me kolumbianë”

, shtoi Basha.

Për kokainën e kapur në Durrës, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj tha se ishte një operacion i suksesshëm dhe akuzat e opozitës i quajti pjesë e skenarit për të baltosur policinë.

Tv Klan