Pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për vendimin e Këshillit të Europës, ka reaguar kryeministri Edi Rama. Në një postim në Twitter, Rama thotë se Basha sajon çdo ditë nga një sajesë.

“Sajo Artist sajo, çdo ditë një sajesë, s’zhgënjen asnjë ditë o Njish. Po si mund t’u thuash shqiptarëve Këshilli i Europës mori vendim politik për t’u tërhequr nga zgjedhjet se janë të paligjshme? Tani mezi pres çfarë do thuash kur të dalë rrena në shesh. Apo rrena tjetër gati?”

Ndërsa kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, që kërkon një mandat të dytë, tha në një takim me banorë të zonës së Dajtit dhe Freskut se të dielën do të ketë edhe vëzhgues të Këshillit të Europës.

“Ishte një organizatë, pra një nga 40 organizatat e cila thoshte që kemi marrë raportime për dhunë. Kjo organizata nuk është Këshilli i Evropës, është një trupë vullnetare brenda Këshillit të Evropës, që quhet Kongresi i Autoriteteve Vendore. Nga e di unë këtë? Se unë si kryetar i bashkive të Shqipërisë jam përfaqësues i Shqipërisë në këtë Kongres, por Luli s’ka si ta dijë këtë se kur ishte kryetar bashkie, jo që s’dinte ku binte Kongresi, nuk dinte ku binte Sahati, shkolla, ku binte kopshti, çerdhja”.

Veliaj thotë se ka folur me përfaqësuesit e Kongresit të Këshillit të Evropës dhe ata do të jenë këtë fundjavë në Tiranë për të vëzhguar zgjedhjet.

Tv Klan