Rama akuzon aleatët e PD, Basha skanon të inkriminuarit

Tashmë që kandidatët për zgjedhjet në 25 Prill janë bërë publikë, kryetarët e partive e kanë zhvendosur betejën e tyre në një tjetër front, të sulmojnë skuadrat e njëri-tjetrit.

I pari që e shprehu hapur zhgënjimin ndaj listës së kundërshtarëve ishte kryeministri Edi Rama.

 “Jam shumë i zhgënjyer, shumë i zhgënjyer….”

Kreu i qeverisë duket se e ka të vështirë të pranojë faktin se e zgjedhura e tij simbol për të qenë e para në listën e Tiranës, inxhinierja Luljeta Bozo të jetë përballë ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Jam unë i zhgënjyer, qytetarët e Tiranës kanë mundësinë të zgjedhin mes 2 pensionistëve Luljeta Bozos dhe Sali Berishës. Për çfarë të votojnë Berishën? Për t’i marrë dhe të djegin palma?”.

Kryesocialisti Rama nuk la pas aletatët e Bashës, me të cilët kryedemokrati do shkojë në zgjedhje me listë të përbashkët. Fatmir Mediu, Vangjel Dule, Dashamir Shehi, ishin në shenjestër të kryeministrit.

Si prurje te re në listën e PD, kryeministri Edi Rama sheh vetëm analistin Agron Gjekmarkaj.

”Në PD nuk ka asnjë prurje të re, përveç Agron Gjekmarkajt. Natyrisht është kontribut i PD-së që largon nga klubet e natës mediatike një personazh turbullues për familjet”

Por kundërsulmet e kryedemokratit nuk vonuan. Në konferencë me gazetarët, Basha e cilësoi listën e kandidatëve të PS një fasadë.

“Është një fasadë, një cipë, një çarçaf i arnuar poshtë të cilit gëlojnë hajdutët e mëdhenjë të ekonomisë shqiptare, të xhepave të shqiptarëve dhe bandat e krimit të organizuar.

Lulzim Basha skanoi emrat në listën e socialistëve, që sipas tij janë të inkriminuar.

Majfton të shohim qarkun e Durrësit kandidatin e Avdylajve, Qyrben e famshëm të përgjimeve të Build-it, kandidatin e bandave të tjera të Shijakut dhe Durrësit, Ndrazhën gojëkyqur dhe natyrisht Rrahman Rrajën, emër tashmë i njohur edhe ndërkombëtarisht.”

Në kushtet kur na ndajnë 45 ditë nga data e zgjedhjeve, kryetarët e partive më të mëdha i kanë lënë pas programet politike, duke ofruar çdo ditë e më pak alternativa dhe duke i dedikuar kohën më të madhe sulmeve politike.

Klan News