Basha: Je zëdhënës i Beogradit, po shmang pandeminë

Akuzat e Gjykatës Speciale për ish-krerët e UÇK-së në Kosovë ka nxitur replika politike edhe në Tiranë. Kryeministri Edi Rama në një seri komentesh në rrjetet sociale ka kujtuar votën e Shqipërisë në Këshillin e Europës për raportin e Dick Marty-t në vitin 2011.

“Ilir a mund t’ia thuash shqiptarëve pse e votove pro raportin e Dick Marty, bashkë me Saliun kur ne e votuam kundër? Po ti Lulëzim a e sqaron dot çfarë dosje ke përgatitur për sajesën e Shtëpisë së Verdhë bashkë me mjekun peruan që dëshmon se ti ke mbledhur dëshmitë bashkë me të?”, shkruante Rama.

Përgjigjen e ka marrë nga kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha që thotë se Rama po zhvendos vëmendjen nga situata e pandemisë.

“Edi Rama lëri shpifjet dhe lojërat politike, përgjigju pse nuk e hap Covid 4? Pse të infektuarit dergjen nëpër ambulanca e nuk ka vend për ta? Pse vazhdon vjedhjen dhe i le të sëmurët të vdesin rrugëve. Pasi  shkatërrove ekonominë, tani po ju merr shqiptarëve jetën dhe shëndetin”, tha ai.

Replikat në distancë në rrjetet sociale nuk kanë mbetur me kaq.

“Lulëzim! Mos u fshih pas Covidit dhe lëri akuzat për ata që po luftojnë përditë në vijën e parë kundër virusit, po përgjigju për faktin që ke qenë bashkë me mjekun peruan në bërjen e dosjes për Shtëpinë e Verdhë! E thuaje çfarë mendon për votën e PD-LSI pro raportit të Dick Marty”, shkruante Rama.

“Në vend që të bëjë detyrën, Edi Rama bën zëdhënësin e Beogradit. Ai është përgjegjës për jetët e humbura dhe shëndetin e shqiptarëve”, u përgjigj Basha.

A është e vërtetë që ke përdorur maskë qysh atëherë, kur merrje në pyetje shqiptarët për llogari të zotit Dick apo edhe kjo është sajesë e Beogradit? Fol Lulēzim, thuaje të vërtetën!”, tha Rama.

Çfarë lidhje ke ti me të vërtetën, Edi Rama? Premtove shëndetësi falas- gënjeve. Premtove 300 mijë vende pune-gënjeve. Papunësia në Shqipëri arriti majat. Premtove se do ulësh çmimet e ushqimeve dhe ilaçeve-gënjeve. Çmimet vetëm janë rritur. Premtove se do ulësh taksat – gënjeve. Premtove se do ulësh çmimin e energjisë – gënjeve“, shkroi Basha.

Debati në distancë mes dy kundërshtarëve politikë vijoi sërish, teksa Rama e konsideroi Bashën si kujdestar të dosjes së Shtëpisë së Verdhë dhe kukull të Sali Berishës, Ilir Metës dhe Monika Kryemadhit. Ndërsa kryedemokrati në reagimet e veta akuzoi Kryeministrin se ka dështuar në menaxhimin e pandemisë dhe se ka shkatërruar ekonominë e shqiptarëve.

Një ditë më parë një koment ka bërë për akuzat e Ramës edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, sipas të cilit, rezoluta e Këshillit të Europës kërkonte hetim dhe hetimi u kërkuar edhe nga SHBA e BE duke u mbështetur edhe nga Kosova.

Tv Klan