“Nuk jam unë akuzuesi, s’është goditje politike”

Një ditë pasi Partia Demokratike i cilësoi si maskaradë të orkestruar nga Edi Rama akuzat ndaj Lulzim Bashës, se në kohën kur shërbente në UNMIK u përfshi në dosjet ndaj UÇK-së, Kryeministri Edi Rama insiston se ai duhet të japë sqarime. Kreu i qeverisë i kujtoi kryetarit të opozitës se hesapin po ia kërkonin dëshmitarët e masakrave në Kosovë dhe jo ai. 

Në vend të përgjigjes së medias, se përse nuk i drejtohej zyrtarisht me një shkresë OKB-së dhe UNMIK për t’u sqaruar, nëse Lulzim Basha është i përfshirë në këtë çështje, Rama mohoi se pas saj fshihej një strategji e orkestruar elektorale për të dëmtuar politikisht kundërshtarin e tij në kampin blu.

Partia Demokratike, sqaroi në një reagim të një dite më parë se Lulzim Basha nuk ka marrë pjesë në asnjë proces ndaj anëtarëve apo drejtuesve të UÇK-së asnjë ditë të punës së tij në UNMIK dhe e akuzoi Kryeministrin se me deklaratat e fabrikuara nga ai dhe një televizion, po i shërben pasurimit të paligjshëm të mercenarëve të tij të fshehur pas inceneratorëve.

Tv Klan