Rama-Bashës: Marrëveshja e 5 Qershorit u bë për ju, mos na provokoni


Rama-Bashës: Marrëveshja e 5 Qershorit u bë për ju, mos na provokoni

13:02 11/07/2020

Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha që të heqë dorë nga kërcënimet dhe sharjet në lidhje me marrëveshjen e 5 Qershorit.

Sipas kreut të qeverisë, dakordësimet në lidhje me Reformën Zgjedhore u bënë sëbashku me opozitën dhe të përfituar nga kjo dolën po ata. Prandaj ai kërkoi që të mos provokojnë dhe të mos dalin kundër marrëveshjes.

“Një këshillë miqësore për Lulzim Bashën e kolegët opozitarë jashtë Kuvendit: Lërini sharjet e kërcënimet ju lutem e mos thoni u prish marrëveshja,se ajo marrëveshje u bë me ju e për ju, jo për ne! Ne s’donim e s’duam administratë zgjedhore partiake, prandaj mos na provokoni se s’ua kemi borxh as ne, as populli jo e jo,pasi morët gjithçka deshët! Peng Kuvendin e zgjedhësit,të cilëve do t’u japim mundësinë të votojnë për deputetin e jo vetëm për partinë,nuk i merrni dot! Po mos na nxisni kundër asaj marrëveshjeje që e bëmë për ju po na lini ta votojmë”, shkruan Rama.

Reagimet në lidhje me marrëveshjen e 5 Qershorit vijnë një ditë pasi kryeministri deklaroi se do të miratojnë ndryshimet e propozuara nga opozita parlamentare në lidhje me hapjen e listave, apo edhe koalicionet.

Për këtë të fundit, në një deklaratë për mediat kryetari i PD-së Lulzim Basha, tregoi ofertën e marrë nga kryeministri Rama. Sipas opozitarit, Rama i ka propozuar vendin e kryeministrit ndërsa vetë do të mbante rolin e Presidentit, vetëm që të hiqeshin koalicionet./tvklan.al




Të ngjashme