Duke sjellë në vëmendje deklaratat e vetë Lulzim Bashës se edhe brenda Partisë Demokratike ka llum, Edi Rama i tha kryedemokratit se ajo pjesa e llumit e ka nxjerrë dhe atë vetë, e sipas kryeministrit, Basha është “pjella më e brilantinosur e atij llumi”.

“Përqendrohu kur flet se kujtojnë se bie përballë dhe i bie vetes gjithë kohës. Më flet mua për llumin e tranzicionit dhe tani ke filluar edhe këtë fjalinë e bukur që edhe PD ka pjesën e vet të llumit. O Lulzim, në qoftë se PD ka pjesën e vet të llumit, unë fjalën “llum” nuk e përdor, se kam përdorur ndonjëherë, as për PD se është fjalë e madhe… Ajo pjesa e llumit të ka nxjerrë ty more Lulzim, ti je pjella më e brilantinosur e atij llumi. Kujdes se s’e kam unë për të mbajtur me gajret “Foltoren”. “Foltorja” është gajret i Shqipërisë. S’kam çfarë t’i bëj unë, çfarëdo që të bëj unë, “Foltorja” është një gajret aq i madh për Shqipërinë; sheh Shqipëria e mban brinjët me dorë me “Foltoren”. Përveç atyre, sigurisht që janë të përfshirë drejtpërdrejt dhe iu duket se kanë hyrë prapë në karvanin e bacës Isa me axhën Ismail dhe do të çlirojnë prapë Shqipërinë nga perandoria e radhës, perandoria amerikane”.

Sipas Ramës, sfida më e madhe e Bashës është që të distancohet nga llumi dhe të “rilindë”.

“Mos e ço gjuhën aty ku të dhemb dhëmbi ty. Rrotulloje gjuhën në një mënyrë që të mos shkojë atje se na detyron edhe ne të vijmë atje pastaj.  E kur thua ti “do s’do mua do më kesh përballë”, vallahi kjo është pastaj ça të them unë ty, dua s’dua unë ty do të të kem përballë, po unë ty dua të të kem përballë gjithmonë, dihet ajo punë.  Po unë ty të kam dashur, të dua dhe do të të dua dhe nuk di si të të ndihmoj realisht, nuk di si të të ndihmoj dhe nuk e kam cinike këtë, por realisht për ta ngritur në një nivel tjetër debatin. Se vjen këtu dhe e di ça bën ti? Ti vjen këtu ekzaktësisht duke lexuar abetaren që ta ka mësuar ai llumi nga i cili tani po na distancohesh. Nuk bëhet distancimi nga llumi duke qenë zgjatim i tij. Trego që nuk je dhe je realisht i distancuar dhe mos shpif si llumi, mos shaj si llumi, mos merr njerëz nëpër gojë si llumi, pra shkurt muhabeti moj si karikatura e llumit, llumi është origjinali ta kam thënë dhe mos harro kurrë që ti ke sfidën më të madhe, jo PD, sepse ti duhet t’i provosh vetes në radhë të parë pastaj të tjerëve, që megjithëse ai llum të nxori në krye, ti je diçka tjetër. Ti duhet të rilindësh, ne e dimë si shkohet drejt rilindjes, na dëgjo, ki besim dhe ndërvepro këtu me gjuhën e fakteve. Ka plot fakte”./tvklan.al