Kryeministri Edi Rama ka vijuar sesionin e tretë të nismës “Gati Për Shqipërinë”. Kreu i qeverisë është njohur online me të rinjtë shqiptarë që duan të përfshihen në disa prej projekteve madhore që Rama ka paralajmëruar gjatë mandatit të tretë.

“Kënaqësi të bashkëbisedonim me një tjetër grup aplikantësh për nismën “Gati Për Shqipërinë”. Ky cikël sesionesh online sipas fushave, na mundëson njohjen me të interesuarit dhe eksplorimin së bashku të mundësive e formave të bashkëpunimit me ta”, shkruante Rama në Facebook.

Ndër të tjera ai njofton se po vazhdojnë aplikimet. Në fund Rama kishte një porosi për të rinjtë.

“Faleminderit të gjithëve. Pak durim sepse janë shumë. Gjëja e vetme që kam si porosi, nuk duhet të humbni durimin dhe kontaktin me Borën ta mbani të hapur dhe drejtpërdrejtë. Në rast se për shembull u bë takimi me një ministër, pastaj u tha se do të kontaktojmë, pastaj nuk kontaktohesh, nuk duhet të humbisni kohë por t’ia bëni Borës me dije sepse ka gjëra që shkojnë si duhet, ka gjëra që zvarriten. Për fat të keq është fakt.  Ju takon juve që të mos humbni durimin dhe të komunikoni hapur, drejtpërdrejtë derisa të mbarojë ky proces dhe të dini që të përfshiheni, ku do përfshiheni apo s’do përfshiheni dhe jo të mbeteni hajd se do flasim dhe hajd se do ta zgjidhim”, tha në fjalën e tij Rama./tvklan.al