Beteja ndaj krimit s’mund të niste pa SPAK-un

Edi Rama ka përsëritur dhe gjatë bashkëbisedimit në Këshillin Atlantik se beteja ndaj krimit të organizuar nuk mund të nisë pa u ngritur më parë institucionet e reja dhe të besueshme të drejtësisë.

“Si mund të bëhej përpara se të kishim SPAK-un? Si mund të guxonim përpara të ndiqnim pasuritë e krimit? Gjykatat që kishim dhe kemi janë të infektuara nga krimi, janë pjesë e krimit dhe jo vetëm bashkëpunojnë. Na u desh të prisnim që të punonim në një terren ku policia nuk do të poshtërohej. Tani këto çështje do të gjykohen nga ata që kanë kaluar Vettingun”.

Rama e ka përgjigjen gati dhe për pyetjen e bërë nga Zëri i Amerikës për PSE-në e përfshirjes në këtë nismë dhe të hetimit të pasurive të politikanëve?

“Është sistemi i drejtësisë, kjo është arsyeja pse po reformojmë drejtësinë, do të kërkojë kohë dhe forcën e institucioneve. Unë nuk kam pushtetin e 1945 që të ndjek politikanët dhe të them se keni bërë diçka të gabuar. Nëse në të ardhmen kapen dhe dënohen sikur janë dënuar këta njerëz. Dhe partia nuk gjykohet nga keqbërja e disa individëve, por si reagon. Nuk mund të thuash një rast kur nuk jemi distancuar kur drejtësisë i është dashur të bëjë punën e vetë”.

Duke u ndalur në situatën politike në vend, kreu i qeverisë është i bindur se pas asaj që ndodhi me bojkotin e Parlamentit dhe të zgjedhjeve nga opozita për shumë kohë, nuk do të ketë më strategji të tilla opozitare.

“Unë mendoj se kemi kaluar një moment të vështirë. Asnjëherë nuk kishim pasur bojkotimin e zgjedhjeve dhe kjo duhej refuzuar, nuk mund të ishte e negociueshme. Unë e shoh shumë të pagjasë që partitë e tjera të bëjnë të njëjtën gjë në të ardhmen, të gjithë kuptuan se nuk fiton është vetëshkatërruese, nuk të sjell asgjë”.

Rama flet për realitetin e ri politik në Ballkan dhe akuzat që i janë bërë pikërisht për shkak të marrëdhënieve të përmirësuara me Serbinë.

“Për momentin jam tradhtari i përkryer. Të paktën në imagjinatën e njerëzve që nuk e kuptojnë se nuk mund të ndërtohet paqja dhe prosperiteti me të njëjtat armë që ke luftuar për liri. Ambasadori Grenell nxiti marrjen e vendimit për të vendosur fluturimet mes Kosovës dhe Serbisë, të gjithë në Prishtinë duartrokitën, por po ta kisha thënë unë ndoshta nuk do të isha këtu sot, ndoshta do të më kishin prerë kokën”.

Ka refuzuar të flasë për data konkrete për hapjen e negociatave pasi sipas tij është e vështirë të parashikon qëndrimin e çdo njërit prej 27 vendeve anëtare që lëvizin të diktuar vetëm nga politikat e brendshme. Por përshëndet metodologjinë re të prezantuar nga KE.

Tv Klan