Dy janë arsyet që Edi Rama thotë se shqiptarët i besuan drejtimin e vendit edhe për një mandat të katër qeverisës në 11 maj. Në një intervistë të dhënë për Richard Attias, një prej organizatorëve të Forumit ndërkombëtar të “Future Ivestiment Iniciative”, që u mbajt në Tiranë, Kryeministri nuk harron të rendisë prioritetin që u kthye edhe në premtin e tij elektoral përgjatë gjithë fushatës.
“Tani që flasim, tri gjërat kryesore për ne janë BE-ja, BE-ja, BE-ja. Dritarja e mundësisë është hapur. Është shumë e trishtë që na duhej Putini, që kjo dritare mundësie të hapej, sepse ishte agresioni i tij kundër Ukrainës që i zgjoi të gjithë nga gjumi dhe e ktheu në veprim mesazhin përherë shumë të qartë, por vetëm me fjalë, se një ditë, Europa do të jetë e bashkuar. Më duhet të ndaj me ju që jam zënë paksa në bela me kolegët socialistë, sepse kur dikush më pyeti,si është e mundur që je socialist, ke fituar katër mandate? Ndoshta fitoj, sepse nuk jam një socialist i mirë”, thekson Rama.
Jo vetëm me sytë nga Europa, por rizgjedhjen e presidentit Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë e cilëson një ogur të mirë edhe për vetë unionin.
“Unë shpresoj që edhe zgjedhja e Donald Trump-it do ta shtyjë Europën të kthejë në veprime gjërat e duhura. Nëse ne ia dalim, atëherë katër mandatet do t’ia kenë vlejtur”, shprehet Rama.
Por si e sheh Edi Rama të ardhmen e Shqipërisë?
“Nuk arrijmë dot të bëhemi të përsosur si një orë zvicerane dhe nga ana tjetër, po të bëheshim të tillë, atëherë Shqipëria do të ishte tmerrësisht e mërzitshme. Unë do preferoja një “Itali e re”, ku gjen mundësi, ku gjen kënaqësinë e mikpritjes, të ushqimit, por ku nuk e humbet buzëqeshjen. Ne na ka bekuar Zoti, por na ka mallkuar historia, një mallkim ku për të qenë i sinqertë, kemi pasur edhe kontributin tonë për shumë e shumë vite dhe shekuj”, thekson Kryeministri.
Dashuria e palëkundur për Bashkimin Europian thotë se nuk e ka privuar aspak të ndërtojë marrëdhënie edhe me Lindjen e Mesme.
“Europa ka qenë ëndrra jonë e kahershme. Me evoluimin e gjërave, kemi pasur disa periudha kohe, ku politika u përqendrua tej mase vetëm te Perëndimi dhe nuk ndërtuam raporte në Lindje. Unë e ndryshova këtë, duke vendosur në dokumentin tonë të politikës së jashtme që ne nuk kemi vetëm dy partnerë strategjikë, Greqinë dhe Italinë, por kemi tre, edhe Turqinë. Pastaj fillova të ndërtoja marrëdhënie me Lindjen e Mesme, me vendet e Gjirit”, thotë Rama.
I pyetur edhe në lidhje me samitin e Komunitetit Politik Europian të mbajtur në 16 maj në Tiranë, Rama e cilësoi atë si diçka të paparashikueshme.
Tv Klan