Kryeministri Edi Rama, në rubrikën e tij onlinë “Sy m’sy”, i është përgjigjur disa prej komenteve të qytetarëve, duke dalluar kështu kryesisht ato që lidhen me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe ironitë për opozitën e premtimet.

“Ramso, si futet Shqipëria me depozita uji në tarracë, e pa drita. Je i madh Ramso. Edhe Nastradini do të kishte zili.”, ishte një prej komenteve të pikasur nga Rama.

Ai u përgjigj me retorikë se ‘Nastradini’ do e kishte zili unionin evropian, e cila po kërkon anëtarësimin e Shqipërisë brenda saj. Në këtë mënyrë dukshëm Rama shpreh pozitivitetin që Bashkimi Evropian ka për vendin tonë, por gjithmonë pas plotësimit të detyrave.

Tani ty, Eltoni jam i bindur që të duket vetja shumë i zgjuar kur bën këtë lloj komenti ofendues dhe gajasesh, por mua, sinqerisht, sa më shumë kalojnë vitet, aq më pak i zgjuar më duket vetja. Kështu që, nuk po të them çfarë mendoj unë për komentin tënd dhe për hyrjen e Shqipërisë në BE, por po të pyes ty, po BE-në do ta kishte zili vallë Nastradini sipas teje, meqë do të na fusë në gjirin e saj sa më parë? E ke dëgjuar ti BE-në kur thotë, duam të mbyllim negociatat me Shqipërinë brenda 2027-s? Apo dhe kjo të bën për të qeshur ty meqë sipas teje ne s’kemi drita. Faleminderit gjithsesi për atë gjigandin, se një të vërtetë të vogël e ka edhe kjo, jo thjeshtë ngaqë unë jam i gjatë, po ngaqë e kam kaq të madh durimin, sa merrem edhe me komente si të tuat, duke mos harruar se sado i zhytur të jetë në kënetë dikush që bën këto komente, është detyra ime ta respektoj si qytetar i këtij vendi gjithsesi.”, u përgjigj Rama.

Një koment me frustërim ka ardhur dhe nga një qytetar tjetër, i cili ka shkruar “Po boll se keni 12 vjet në pushtet akoma premtoni njësoj si bufi.”

Për këtë, Rama tha se ndodhet prej 12 vitesh në pushtet, por prej 11 vitesh e 6 muaj plotëson premtimet e tij. Për ironinë se ai “premton si bufi”, epitet ky i vendosur nga Rama për opozitën, kryesocialisti u shpreh se nëse do të ishte si ai, Shqipëria do ishte në borxhe dhe kriminalitet.

Jo, Vladimir, unë nuk kam 12 vjet që premtoj, po kam 11 vjet e 6 muaj që bëj ato që them dhe them ato që bëj. Se po të isha si bufi, edhe Shqipëria do ishte si e bufit, një vend që s’e merrte askush seriozisht, një vend i zhytur në borxhe dhe në kriminalitet, me mbi 100 e kusur vrasje në vit, me qytete të rrënuara nga harresa, me një turizëm që mbahej gjallë vetëm nga patriotizmi shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni. Po sot? Sot vetëm kush nuk do të shohë, nuk sheh dhe s’ka më të verbër se ai që i ka sytë, por refuzon të shikojë. Apo më shurdh se ai që i ka veshët, por nuk do e nuk do që të dëgjojnë.”, tha Rama.

Komenti i radhës ishteAi projekti i stadiumit në Vlorë, projekti Marina Vlora apo Marina Durrës kanë dal shumë bukur.”

Kreu i qeverisë u përgjigj se e kupton ironinë e qytetarit, por punët e mëdha si këto projekte marrin kohë të konsiderueshme, e nuk mund të bëhen në kohë rekord “sa hap e mbyll sytë”.

“E kuptoj ironinë tënde, por duke qenë se punët e mëdha nuk bëhen sa hap e mbyll sytë, siç bëhen komentet e kota duhet të bësh edhe ca durim dreqi e mori se Marina Vlorë dhe Marina Durrës janë të dyja në kantier. Po deshe, mund edhe të shkosh t’i shohësh vetë dhe të kuptosh se çfarë pune kolosale është bërë, e po vazhdon të bëhet në dy hapësira rrënojash e qymyresh deri dje. Ndërsa për stadiumin e Vlorës është detajuar projekti që doli fitues nga konkursi dhe do të shpallet dhe mos është shpallur gara për partnerin privat që do të marrë përsipër ndërtimin me të njëjtën formulë si për stadiumin tonë kombëtar. Kështu që i dashur Adi, unë them atë që bëj dhe bëj atë që them dhe nëse në ndonjë rast, edhe vonoj, kjo jo për shkakun tim, se nuk i lë kurrë mangut diçka punës, por ji i sigurt gjithsesi se vonoj, po nuk harroj asnjëherë.”, përmbylli Rama.

/tvklan.al