Rama: BE nuk mund të marrë peng ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor për llojin e vaksinës




Rama: BE nuk mund të marrë peng ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor për llojin e vaksinës

19:18 27/05/2021

Tashmë një çështje që diskutohet në Bashkimin Europian është lëvizja në kushtet e pandemisë. Dhe mesa duket nga unioni ka sinjale që do t’i ndajë njerëzit në kategori të ndryshme, nga ata që kanë vaksinat e miratuara nga EMA që mund të hyjnë lirisht dhe ata që kanë përdorur vaksinat kineze e ruse do të duhet sërish të bëjnë teste. Megjithatë kryeministri Edi Rama tha gjatë një konference së bashku me ministrin gjerman Michael Roth se BE nuk duhet që të marrë peng Ballkanin Perëndimor për shkak të vaksinave që janë përdorur.

“A ka sinjal që do ndahen apo nuk do ndahen njerëzit e këtij kontinenti në dy kategori sipas firmës së vaksinës, po edhe ka, edhe s’ka. Më mirë t’i dalim përpara tani se sa kur të ketë sinjal të plotë se do jetë më e vështirë. Natyrisht mbase nuk do të ndryshojmë gjë, por kemi detyrë të themi të vërtetat tona pa pasur asnjë kompleks për të drejtat tona. Në këtë rast lëvizja e shqiptarëve dhe Shqipërisë, e cila është garantuar prej vitesh dhe nuk mund të fragmentarizohet se njëri ka bërë vaksinën Pfizer, njëri vaksinën Sinovac, njëri AstraZeneca dhe tjetri Sputnikun. Ju folët për pengje. Thatë a mund të merret Shqipëria peng? Tani BE është tempull i demokracisë dhe politikës. Politika është shah. Shahu është lojë pengjesh. Por tek e drejtë bazike mendoj se BE nuk duhet të marrë peng askënd që jeton në këtë rajon për shkak të firmës që ka bërë vaksinën. Në kriteret që unë kam parë të lëvizjes së lirë është që mundësia se kush ka të drejtë lëvizje të lirë siç jemi ne të bëjë test, ose të jetë i vaksinuar. Pse duhet ta bëjmë testin për të lëvizur në BE, se në Europë jemi vetë, ata që kanë bërë vaksinën Sinovac dhe Sputnik. Këtu janë edhe malazezët, edhe serbët, maqedonasit e veriut dhe boshnjakët. Nuk janë vetëm shqiptarët e Shqipërisë. Se BE e ka marrë peng Kosovën. Peng është dhe Kosova i një loje shahu, ku një nga figurat e shahut ka vendosur që atë ushtar ta marrë peng. Shqiptarët në Kosovë të mos lëvizin lirisht, jo se e gjithë BE është e këtij mendimi, por se një nga ushtarët e shahut thotë se ai atje nuk duhet të lëvizë. E turpshme, por nuk ke çfarë i bën. Ajo që ka të bëjë me lëvizjen në kushtet kur të gjithë kemi luftuar për të dalë nga pandemia dhe me thënë të drejtën në Shqipëri kemi luftuar dhe ia kemi dalë pasi u lamë vetëm. U lamë vetëm njësoj si të tjerët në këtë rajon për shkak se të tjerët kishin hallet e tyre. Nuk është për të fajësuar kënd. Kush ishte dhe kush është objektivi i parë dhe më i rëndësishmi? Të shpëtojmë jetët e njerëzve dhe nuk duhet thënë se po shpëtuam gjysmë milioni me vaksinën kineze jo se jeni të kategorisë së dytë. I them këto për t’i dalë përpara, por sigurisht nuk vendos Shqipëria”, tha Rama./tvklan.al





Të ngjashme