Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një intervistë këtë të enjte me ish të dërguarin e posaçëm për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell. Kreu i qeverisë u pyet nga Grenell në lidhje me vendimin e ministrave të Jashtëm të BE-së për të mos hapur  formalisht negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për Ramën, Bashkimi Europian është duke dështuar në mënyrë të vazhdueshme për të mbajtur premtimet e saj. Ai shtoi se mos hapja e negociatave lidhet direkt me çështjen e hapur mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, megjithatë kjo është frustuese për vendin tonë.

“Është pak a shumë e njëjta gjë, sepse nga një anë ata vlerësojnë se jemi gati për të nisur negociatat formale duke mbajtur Konferencën e Parë Ndërqeveritare dhe nga ana tjetër, Këshilli Europian nuk është në gjendje që të marrë një vendim. Sigurisht që kjo ka të bëjë me disa çështje që lindën mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, megjithatë për ne është mjaft frustruese dhe në të njëjtën kohë është tregues sepse gjëja e keqe është që po mësohemi që BE po dështon në mënyrë të vazhdueshme për të mbajtur premtimet e saj”, tha Rama.

I pyetur nga Grenell se çfarë shpejgimesh po japin liderët e BE-së për këtë bllokim, Rama tha se ata nuk po thonë asgjë. Sipas kreut të qeverisë, ata kanë vlerësuar se Shqipëria është gati për t’u ulur dhe për të nisur negociatat, por nga ana tjetër nuk e marrin këtë vendim.

“Ata janë duke thënë praktikisht asgjë pasi siç thashë ata kanë bërë një vlerësim dhe  secili prej tyre, praktikisht ka vlerësuar që Shqipëria është gati për t’u ulur dhe për të nisur bisedimet dhe nga ana tjetër nuk ka një vendim. Sepse BE është e bazuar në këtë mekanizëm të plotë konsensual të vendimmarrjes. Është e mjaftueshme që një vend ka një problem dhe në këtë rast është mes Bullgarisë dhe RMV dhe çdo gjë merr fund. Është si të ndihesh pjesë e një përzgjatjeje të Samuel Beckett duke pritur për Godonë, e në vend të Vladimirit dhe Estrafgonit në librin e tij është Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut”, tha Rama.

Një temë që u prek ishte ajo e miniShengenit rajonal. Për këtë kryeministri Rama falenderoi Grenell, për të cilin tha se ka pasur kontribut të madh në këtë projekt.

“Para së gjithash ambasador unë duhet të përsëris sot që ju nuk jeni më në atë rol, atë që kam thënë kur ishit në atë rol që ju kishit një kontribut shumë të rëndësishëm duke treguar me shembull dhe jo fjalë që është e mundur që ndërkohë që ka një çështje të madhe dhe të pazgjidhur njohjeje të Kosovës nga Serbia dhe viceversa, është e mundur për të përmirësuar jetën e njerëzve, është e mundur për të punuar sëbashku. Sigurisht qeveritë e vendeve nuk mund të mos bien dakord në përmirësimin e tregtisë, bashkëpunimin ekonomik, përmirësimin e lëvizjes së lirë, etj., dhe sigurisht kjo është ana për të cilën kam advokuar prej vitesh tashmë, dhe falë edhe shembullit që ju dhatë, kjo u bë edhe më e prekshme. Mjafton të rikujtoj këtu çfarë bëtë për të vendosur lirinë e lëvizjes në fluturime, që ishte e paimagjinueshme”, tha Rama.

Vendimet “non grata” të DASH, Rama: Askush nuk është mbi ligjin

I pyetur mbi vendimet e DASH për shpalljet “non grata” në vendin tonë, Rama tha se kjo është dëshmi që askush nuk është mbi ligjin. Kreu i qeverisë shqiptare sheh dy medalje me këto lëvizje. Së pari trishtim për një realitet që e njohim mirë dhe nga ana tjetër sinjalin e qeverisë amerikane për të çuar përpara Reformën në Drejtësi.

“Do thoja që nga njëra anë është shumë e trishtueshme që të shohësh këtë realitet që ne e njohim shumë mirë, të vulosur me një lëvizje guxuese nga Departamenti Amerikan i Shtetit, por nga ana tjetër është një sinjal i qartë i përpjekjeve të vazhdueshme të qeverisë amerikane për të shtyrë përpara Reformën në Drejtësi dhe transformimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, ka arritur në një pikë pa kthim pas. Kjo për mua ishte e ngjashme me fundin e tranzicionit dhe fundin e nocionit të pandëshkueshmërisë, që askush nuk është mbi ligjin”, tha Rama./tvklan.al