Kryeministri Edi Rama bën të ditur se qeveria shqiptare është shumë pranë sigurimit të një sasie dozash të konsiderueshme vaksinash nga AstraZeneca. Në një postim në rrjetet sociale, kreu i qeverisë shton se ditën e sotme do të nisë me 7020 doza lëvrimi i përjavshëm i vaksinës nga Pfizer. Po ashtu ai shton se do të intensifikohet plani i vaksinimit.

Siç lajmëroi më herët edhe ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, edhe Rama thotë se do të aktivizohet skenari i parë i hapjes së spitaleve rajonale në përballimin e situatës Covid. Kryeministri bën thirrje për zbatimin e rregullave.

“Thumba” ka edhe për opozitën për të cilën thotë se i siguron vaksinat përmes mbledhjeve me partitë si motra. Ai i kujton kritikëve të tij faktin që Shqipëria është një prej dy vendeve në rajon që ka nisur vaksinimin.

“Zotimet e atyre që thonë se vaksinat do i sigurojnë në mbledhjet e partive simotra apo që drejtojnë gishtin e akuzës ndaj qeverisë, ndërkohë që Shqipëria është një nga dy vendet e vetme në rajon që ka siguruar nisjen e vaksinimit, janë një arsye për ta neveritur politikën e futjakotësisë”!

Në fund kreu i qeverisë shton se janë kryer mbi 90 mijë teste të shpejta përveç testit PCR./tvklan.al