Konferenca e ditës së sotme ishte planifikuar për shëndetësinë, por fatkeqësia e ministres Manastirliu, e cila humbi babanë mbrëmjen e djeshme bëri që kryeministri Rama të fokusohet tek rindërtimi.

Kreu i qeverisë tha se programi për rindërtimin adreson një problem për mijëra familje, ndërkohë që krijon kushtet edhe për një përfshirje masive të të gjitha kompanive të ndërtimit. Sipas Ramës, kjo kërkon edhe përfshirjen e një numri të konsiderueshëm punëtorësh. Prandaj kreu i qeverisë tha përballë gazetarëve se qeveria ka adresuar në mënyrë prioritare në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm pasojat e tërmetit dhe pandemisë.

“Edhe projektbuxheti i vitit 2021 vijon të adresojë në mënyrë prioritare pasojat e tërmetit dhe fatkeqësinë tjetër të madhe, goditjen e vendit tonë, shoqërisë sonë, njerëzve tanë nga Covid-19. Për programin e rindërtimit parashihen 28 miliardë lekë në projektbuxhetin e vitit që po hyjmë dhe paralelisht është parashikuar edhe fondi në vazhdim prej 1.5 miliardë lekësh për bonusin e qirasë për familjet që do të vijojnë të qëndrojnë në kushte shtëpie deri në ditën kur do të kthehen në apartamente të reja. Këtë vit janë 34 miliardë lekë të buxhetit të vendosura për rindërtimin prej të cilave 32 janë të alokuara plotësisht. Deri në fillim të Tetorit janë 70 milionë dollarë të derdhura dhe faktikisht bëhet fjalë për shtëpitë për të cilat një masë përditë e më e konsiderueshme banorësh po marrin çelësat”, tha Rama.

Qëllimi i qeverisë është që familjet e goditura nga tërmeti të hyjnë në shtëpi të ndërtuara më mirë dhe më të forta.

“Qëllimi ynë mbetet deri në fund që shtëpitë e rindërtuara të jenë më të mira, më të forta dhe në shumë raste edhe më të mëdha se shtëpitë që familjet e goditura nga fatkeqësia humbën, duke pasur parasysh edhe faktin që kemi zgjedhur të bëjmë një politikë të mirëfilltë strehimi për të gjitha kurorat që ishin bashkë në një kulm në shtëpitë e humbura nga tërmeti”, tha Rama.

Kreu i ekzekutivit u shpreh se kjo krizë është kthyer në një mundësi për familje të tëra që do të jetojnë në kushte të tjera mjaft optimale. Qeveria ka planifikuar në javët e ardhshme nënshkrimin e një marrëveshje me Emiratet e Bashkuara Arabe. Rama sqaroi se do të bëhet edhe një marrëveshje direkte tjetër me Emiratet për investime që lidhen në funksion të zhvillimit të turizmit në Durrës.

Projektet e shkollave dhe kopshteve janë në një fazë të avancuar, ndërsa Rama u kërkoi familjeve edhe pak durim. Ai u shpreh se procesi i rindërtimit është penguar nga karantina dhe nga fondet e donatorëve.

“Natyrisht mbetet nevoja për t’ju kërkuar familjeve dhe pak durim. Kini parasysh se procesi i rindërtimit ka pasur një pengesë të madhe të krijuar nga karantina e përgjithshme dhe procesi i rindërtimit ka një aspekt tjetër që lidhet me donatorët me të cilët kemi ecur më ngadalë se fondi i buxhetit të shtetit për arsye të procedurave të tyre administrative. Donatorët nuk japin fonde drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit dhe as nuk ia lënë qeverisë shqiptare që t’i menaxhojë fondet e tyre. I menaxhojnë vetë fondet. Gjëja që ne kemi arritur është të disiplinojmë procesin duke standardizuar projektet dhe duke krijuar një sinergji mes nesh dhe forcave të tjera që do të hyjnë në procesin e rindërtimit”. /tvklan.al