“Shtëpia e Biznesit, urë komunikimi me qeverinë”

Kryeministri Rama paralajmëron sipërmarrësit se antarësimi në Bashkimin Europian do të vijë edhe me kosto për ta, përveç përfitimeve, nëse nuk marrin masa që tani për t’u adoptuar me legjislacionin europian që duhet të aplikohet kur të jemi vend anëtar.

“Duhet të kalojmë ligje që do ta afektojnë biznesin në mënyra nga më brutalet, përndryshe nuk hyjmë dot. Kjo do të kërkojë përgatitje për adpatim, kështu që për këtë arsye, duhet realisht ta filloni ta mendoni që tani.”

Si shembulli që nuk duhet ndjekur, sjell industrinë fasone që aktualisht po përjeton një krizë të burimeve njerëzore.

“E shikoni me syrin tuaj që një vajzë 20-vjeçare të shkojë dhe të ulet para një makine qepëse? Të pranojë të bëjë të njëjtën punë që bëri nëna apo gjyshja e vet? Nuk ndodh kurrë! Atehërë, cila është përgjigjia? Do ta transformosh atë fabrikë në një fabrikë që do i adoptohet ndryshe tregut.”

Rama kërkon zgjidhje dhe për Dhomat e Tregtisë.

“Kjo mënyrë organizimi, bashkë me 3 shokët e vet bën Dhomën e tij, është Bathorja e Sipërmarrjes. Ligji i Dhomave të Tregtisë duhet të bëhet një sistem evropian.”

Ndërsa si një instrument të mirë për të diskutuar të gjitha problematikat dhe për të gjetur zgjidhjet, Rama ju kërkon të vlerësojnë Shtëpinë e Biznesit. Kjo strukturë i hapi dyert te premten në një nga kubat e Piramidës, ku kryeministri zhvilloi një bashkëbisedim me sipërmarrësit.

“Një derë avokatie për sipërmarrjen, një derë avokatie ku çdo sipërmarrës mund të trokasë për çdo problem.”

Qeveria e sheh ngritjen e Shtëpisë së Biznesit si një formë për të shtuar dialogun me sipërmarrjen.

Tv Klan