Rama, biznesit: Rrisni pagat e punonjësve


Rama, biznesit: Rrisni pagat e punonjësve

15:32 17/03/2023

“Qeveria do t’i rrisë në çdo nivel”

Emigrimi i të rinjve që përbëjnë forcën kryesore të punës në sektorët me jetik, ka detyruar qeverinë të nisë një dialog kombëtar me sipërmarrësit për t’ju kërkuar të rishikojnë pagat.

Rritja e pagës minimale nga 1 Prilli për Kryeministrin e bën domosdoshmëri rritjen edhe të niveleve të tjera të pagave me urgjencë.

“Do të bëjmë një rritje ekuilibruese të pagave si fillim dhe po shikojmë një skemë të re të të gjithë pagave në vijim.”

Dhe këtë jua kërkon bizneseve të medha si domosdoshmëri nëse nuk duan që vendet e tyre të lira të punës mos të mund të plotësohen nga mungesa e punonjësve që zgjedhin të largohen në vendet e BE.

“Vetë sipërmarrja po e shikon gropën që i ka hapur vetes duke bërë atë që bëri ai që tha në fund: Sapo e mësova gomarin, pa ngrënë më ngordhi. Ujku ka filluar që të ju hajë, është thjesht në procesin që po e sheh si të ju sistemojë në pjatë. Po e latë veten tek pjata, ka mbaruar kjo lojë.”

Por kryeministri kërkon ta theksojë faktin se fushata që ai ka ndërmarrë më shumë se sa për pagën, synon që të ndalojë shfrytëzimin e punonjësve, paga të ulëta apo që nuk deklarohen të plota.

“Punonjësi është gjëja më e rëndësishme. Është më i rëndësishëm se vetura e re, jahti, vila tjetër në det. Nuk ekziston në sektorin e ndërtimit pagë minimale 40 mijë Lekë të reja, janë gënjeshtra. Nuk do ta kenë të ardhmen të sigurtë sepse do të mbeten pa punëtorë.”  

E këtë e sheh më së shumti në sipërmarrjet fasone.

“Ato gratë që i kanë marrë që në vitet ’90 dhe i kanë paguar me pagën minimale dhe iu kanë marrë shpirtin të shtunën, të dielën, me tre turne, se duhet plotësuar kjo, se na kërkon Armani se na kërkon Versaçe, sot iu ka ardhur mosha e pensionit, me kë do t’i zëvendësojnë? Me vajzat e Tik-Tok-ut?”

Rritja e pagës minimale, sipas Kryeministrit nuk duhet bërë jashte kontekstit ekonomik të vendit pasi të kthehet në bumerag, e këtu sjell si shembull atë që po ndodh në Malin e Zi.

“Mali i Zi bëri një rritje të pagës minimale përtej logjikës të produktivitetit të konkurrueshmërisë. Sot e ka borxhin mbi 100%.”

Marrja e punonjësve nga jashtë vendit, për të nuk është zgjidhje.

“Sipërmarrësit shqiptarë duhet ta kuptojnë se nuk mund t’i japing gruas që punon atje në Himarë e Dhërmi 300 mijë Lekë e pastaj marrin nga Bali e Filipinet e ju japin nga 1 mijë Euro. Duhet që punonjësin shqiptar ta vlerësojmë.”

Rama foli për inisiativat që ka ndërmarrë vetë qeveria për të inkurajuar të rinj që mos të largohen siç është dhënia e bursës në masën e një page minimale për studentët e ekselencës.

Tv Klan







Të ngjashme