Sekretari i Shtetit: Mirënjohje për shembullin e partneritetit

Falenderimet, mirënjohja dhe koordinimi në një partneritet të ngushtë u përsëritën vazhdimisht në deklaratat që shoqëruan nënshkrimin e marrëveshjes për 5G nga Kryeministri Edi Rama dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken.

Shqipëria do të koordinohet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës për përdorimin e teknologjisë 5G dhe Rama tha se do të lobojë që vendet e rajonit të mos kompromentohen nga aktorë dashakeqë.

“E kemi ndërmarrë këtë nismë nga ana jonë prej disa vitesh, duke i kërkuar vendeve të tjera të rajonit të bëhen pjesë dhe të gjithë së bashku të bëjmë përpjekje për një korridor komunikimi të sigurt dhe për ta vënë këtë korridor komunikimi të shërbimeve shumë kritike në duart e qytetarëve të Shqipërisë, institucioneve shqiptare, forcave të sigurisë dhe të mos lejojmë që të mos kompromentohet nga aktorë të tretë që ndonjëherë janë aktorë dashakeqë”.

Ky qëndrim i Shqipërisë është konsideruar nga Sekretari i Shtetit Blinken si një shembull i fortë për vendet e tjera të rajonit dhe një mesazh për ta.

“Mendoj se po jepni një shembull shumë të fortë për te tjerët sot për nevojën për t’u siguruar, kur bëhet fjalë për rrjetet më të ndjeshme të tekonologjisë që kemi ne dhe që duhet të punojmë me shitës të besuar. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme dhe një mesazh shumë i fortë, për t’iu dërguar të tjerëve”.

Të dy, Rama dhe Blinken shkëmbyen vazhdimisht falenderime gjate deklaratave të tyre, pasi kishin nënshkruar marrëveshjen.

Kryeministri Rama: Është përherë krenari për Shqipërinë që të jetë krah jush, krah SHBA përherë, dhe shpresoj t’i bindim miqtë e tjerë në rajon për t’u bërë pjesë e kësaj.

Sekretari Blinken: Shumë faleminderit! Ju po vendosni një shembull mjaft të mirë, jemi mirënjohës që ju kemi partner dhe aleat.

Qeveria shqiptare ka miratuar më parë memorandumin e mirëkuptimit me Shtetet e Bashkuara për teknologjinë 5G. Autoritetet e konsideruan këtë një “çështje të sigurisë kombëtare”, ndërsa u rreshtuan përkrah Shteteve të Bashkuara, në konkurencën që këto kanë me Kinën.

Tv Klan