Pas shefes së Infektivit, Najada Çomo, një tjetër simbol i fatkeqësive që goditën Shqipërinë i bashkohet PS.

Luljeta Bozo, inxhininierja që mori vëmendje të madhe pas tërmetit të 26 nëntorit ka pranuar ftesën e kryeministrit Edi Rama për të kandiduar për deputete në 25 prill në Tiranë.

“Do jesh një ndihmë e madhe për të na shkulur veshin me kujdes që mos na e këpusësh, por që ne të mund të jemi gjithmonë të fokusuar”, tha Rama.

“Do bëj më të mirën, do përpiqemi sa të kemi fuqi që të bëjmë për vendin tonë dhe popullin tonë që ka qenë gjithmonë i vuajtur, por do të shohë se s’bën”, tha Bozo.

Më herët për Klan News, inxhinierja Bozo tregoi arsyen pse pranoi ofertën e kryeministrit.

“Duke u nisur nga dëshira e shumë njerëzve që duan zëra të tillë që t’i përfaqësojnë në Kuvendin e Shqipërisë dhe propozim që më bëri Rama unë hezitova pak në fillim, por pastaj e dhashë miratimin. Nuk më ka kërkuar ndonjë gjë të veçantë, kërkon vetëm që atë mendim që kam ta shpreh ashtu siç e kam dhe t’i shërbej sa më shumë njerëzve”, tha Bozo.

Gjatë prezantimit të planit për rindërtimin kryeministri Edi Rama e konsideroi mandatin e dytë qeverisës si më të jashtëzakonshmin, për dy arsye specifike.

‘Ky ka qenë mandati më i jashtëzakonshëm i qeverisë shqiptare sepse është thyer në mes nga pandemia dhe tërmeti”, tha Rama.

Duke siguruar se në pranverën e vitit 2022 do jetë zhdukur çdo gjurmë e tërmetit, ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, tregoi me shifra banesat e reja që priten të përfundojnë  brenda 2021-2022.

“Rreth 5 mijë familje do të marrin banesa të reja individuale që do përfundojnë brenda vitin 2021. 12 mijë familje do të sistemohen në apartamente në lagje të reja që do të jenë ndërtuar benda pranverës 2022”, tha Ahmetaj.

Kryebashkiaku Erion Veliaj foli për planin e Bashkisë Tiranë dhe qeverisë për të ndërtuar 40 shkolla në kryeqytet, ndonëse ishin planifikuar 17 në fillim.

Sa i përket fondeve të përfituara nga Konferenca e Donatorëve në Bruksel, kryeministri Edi Rama tha se një pjesë e tyre nuk janë ende në funksion të procesit të rindërtimit, kjo për shkak se paratë e dhëna administrohen nga Brukseli.

Klan News