Rama: Brenda 10 vitesh Tirana dhe Durrësi bëhen 1



Rama: Brenda 10 vitesh Tirana dhe Durrësi bëhen 1

18:50 09/02/2021

Sipas kryeministrit Edi Rama, Tirana dhe Durrësi brenda 10 vitesh do të jenë 1. Ai u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët e Durrësit se perspektiva e qytetit bregdetar është fantastike dhe është në rrugën e duhur. Kryeministri deklaroi se këto dy qytete po shkojnë drejt metropolit dhe si të tillë, të dy sëbashku do të jenë kryeqyteti i Shqipërisë.  

“Tirana dhe Durrësi sot nuk janë ata që ishin. Tirana dhe Durrësi janë dy zonat që janë rritur në popullsi dhe që janë rritur në ndërtime dhe që kanë futur tubat në të gjitha ato instalimet dhe marrin e thithin, është njësoj si ti vesh një trupi tre zemra e katër zemra dhe t’i thuash funksiono tani me gjakun që ke. Si do funksionojë? Vetëm me një mënyrë funksion me programin e PD-së. Që të ketë më shumë zemra dhe me të njëjtën sasi gjaku të pompojë njësoj. Kështu që për Durrësin unë shoh një perspektivë shumë të rëndësishme sepse duam s’duam ne, gjëja po vjen vetvetiu drejt metropolit. Tirana dhe Durrësi mund të jenë dy bashki gjithmonë, por Tirana dhe Durrësi shumë shpejt, dhe kur them shumë shpejt, brenda një dekade do të jenë një. Nuk ka rrugë tjetër. Nuk ka asnjë mënyrë. Ky është destinacioni dhe ne duhet të punojmë me këtë destinacion që ta shohim të lidhur në një zonë. Ky do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë, Tiranë-Durrës. Pastaj quhen qytet të ndryshme, por absolutisht do të jetë një në 10 vjet. Nuk ka ku shkon. Perspektiva e Durrësit është fantastike. Ne jemi në rrugën e duhur për këtë. Besoj që do bëjmë gjënë e duhur”, tha Rama.

“Kemi ndryshuar në sytë e botës”, Rama: Durrësi do të kthehet në marinën më të madhe në Mesdhe

Porti i ri i Durrësit do të sjellë një perspektivë të re jo vetëm për qytetin bregdetar, por për gjithë Shqipërinë. Është ky mendimi i kryeministrit Edi Rama, i cili gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët tha se një nga kompanitë më të mëdha në Lindjen e Mesme e ka dorëzuar projektin për fazën e parë të portit.

Sipas tij, kjo ka ndodhur për shkak se Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Sipas Ramës, porti i ri që do të ndërtohet do të jetë një nga më të mëdhenjtë në Mesdhe.

“Një nga kompanitë më të mëdha që ka operuar në Lindjen e Mesme që jo vetëm ka shprehur dëshirën, por ka dorëzuar edhe projektin e fazës së parë të portit të Durrësit, kjo vjen sepse Shqipëria ka ndryshuar në sytë e botës. Kjo është, pak por e sigurt. Çfarë do thonë raportet ndërkombëtare që në sytë e tyre janë shumë më të mirë, dhe ato që kanë problematika se sa ç’ishin 7 vite më parë, ka një puls që është pulsi më i sigurtë për të shikuar ku ndodhet vendi në këtë vend, që është pulsi i investitorëve. Nuk pritej që një kompani e tillë të vinte edhe ata thonë marina më e madhe e Mesdheut, por unë them një ndër më të mëdhatë të Mesdheut. Më parë kjo nuk mendohej. Ideja për të bërë një marinë pranë portit të Durrësit ka qenë e vjetër që është përsëritur herë pas here”, tha Rama.

Sipas kryeministrit, qyteti i Durrësit ka nevojë që të çlirohet nga gjithë aktiviteti që vjen nga porti aktual.

“Është e domosdoshme që ndërkohë që zemra e qytetit çlirohet nga gjithë ai aktivitet dhe problematika të natyrës mjedisore që ai aktivitet krijon, të hapë me patjetër perspektivën, jo vetëm për zhvillimin, por rritjen e atij aktiviteti. Kapacitetet e portit aktual janë ato që janë. Sot ne duhet të shohim perspektivën e portit të mallrave në Durrës i të lidhur me ambicien për të pasur një port më të rëndësishëm nga pikëpamja e vëllimeve që administron, por për ta pasur të lidhur edhe me një hapësirë të aktivitetit ekonomik që në zemër të qytetit është i pamundur”, tha Rama.

Porti i ri ka vite që është si ide. Megjithatë kanë qenë të shumta arsyet se pse nuk janë finalizuar sipas Ramës. Kryeministri u shpreh se qeveria është duke vlerësuar propozimin konkret për portin e ri. Por çfarë do të ndodhë me kompanitë që kanë kontratë në portin e vjetër? Sipas Ramës, qeveria ka të drejtën e saj që të ndërtojë një port të ri. Megjithatë ai shtoi se shteti do t’i qëndrojë marrëveshjeve që ka me kompanitë aktuale.

“Nga ana tjetër, shteti shqiptar ka detyrimin të respektojë këto kontrata dhe gjithë veprimtaria që zhvillohet sot në port është me veprimtaria që ka nevojë një port tregtar. Të njëjtën veprimtari do të ketë edhe porti tjetër, që do të thotë se kompanitë do të lëvizin me të njëjtat kushte, por porti i ri do të jetë me një proces zhvillimi shumë më të madh”, tha Rama.

Sipas Ramës projekti do të jetë i lidhur edhe me aktivitetin e hekurudhave. Ai shtoi se puna për hekurudhën Tiranë-Durrës është gati të nisë ndërkohë që po pritet të miratohet një pjesë e fondit për disa hekurudha të tjera. Kryeministri u shpreh se porti aktual nuk konkurron dot me të tjerët në rajon.

“Në portin tjetër, kufiri do të vendoset më larg dhe porti tjetër do të jetë i lidhur me aktivitetin e hekurudhave. Hekurudha Tiranë-Durrës është gati për të filluar puna në kantier. Presim të na miratohet një pjesë e fondit për një hekurudhë, Durrës-Hani i Hotit, plus projekti për hekurudhën Durrës-Prishtinë e më tej. Na duhet të jetë një port i gatshëm për dekadat e ardhshme. Ky port nuk e bën, mund t’i ndërtosh hekurudha afër, por nuk e bën konkurrent me ata përballë”, tha Rama.

Sfida e Ramës: Më tregoni kush ka rindërtuar më shpejt se ne

Kryeministri Edi Rama ka sfiduar të gjithë ata që thonë se qeveria është vonuar me procesin e rindërtimit që të thonë se cili vend ka rindërtuar më shpejt se Shqipëria. Ai u shpreh këtë të martë gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët se procesi i rindërtimit pati një shtyrje ppër shkak të pandemisë.

“U kam kërkuar bashkive që të bëjnë kontratë me ata që presin një apartament. Ne për fat të keq pas tërmetit na hyri në mes Covid me gjithë atë periudhë marramendëse bllokimi. Duke qenë se në këtë proces kemi shumë aktorë të huaj, u bllokuan veprimet, por procesi pati një shtyrje. Unë i sfidoj të gjithë që të më tregojnë një vend që ka mundur të rindërtojë më shpejt, po ka shpejt unë di, por më shpejt le të ma tregojnë për ata që thonë u vonuam etj.”, tha Rama.

Kryeministri u shpreh se asnjë qytetar nuk ka ngelur përjashta gjatë rindërtimit.

“Ndërkohë që rindërtojmë nuk kemi lënë asnjë njeri përjashta. Nuk është e njëjta si të jetosh me qira si në shtëpinë tënde, por të gjitha familjet e Durrësit që për shkak të tërmetit nuk janë sot akoma në apartamentin e tyre dhe presin që t’u ndërtohet i riu të thotë që unë jam jashtë. Asnjë, të gjithë janë në apartamente. Në momentin e parë kemi kemi pasur në çadra 11 mijë e 200 familje. Sot në çadër kemi 683 familje. Ata marrin bonusin e qirasë. Është zgjedhja e tyre që të rrinë në çadër. Janë afër ish-shtëpisë së tyre, kanë gjënë e gjallë, kanë tokën që nuk iu del llogaria që të ikin në qytet, por marrin një për një bonusin e qirasë, njësoj si këta të tjerët në apartamente”, tha Rama.

Rama: Deri më tani të gjitha janë rindërtuar me paratë e buxhetit

Kryeministri Edi Rama shtoi se Shqipëria ka pasur konferencën më të suksesshme të donatorëve gjatë viteve të fundit krahasuar me rastet e ngjashme pas tërmeteve. Sipas tij, meritë ka edhe qeveria. Ai u shpreh se të gjitha shtëpitë, shkollat, kopshtet e çerdhet që janë ndërtuar, janë ndërtuar me paratë e buxhetit të shtetit.

“Bota na ndihmoi jashtëzakonisht shumë. BE bëri për ne një gjest të rrallë. Kemi pasur konferencën më të suksesshme të donatorëve të viteve të fundit krahasuar me rastet e ngjashme. Unë besoj që edhe për këtë një meritë e kemi. Nuk besoj se mund të thuhet se ishim gjëkundi dhe bota, jo. Të gjitha çfarë keni parë deri tani, shtëpi, shkolla, kopshte çerdhe, nuk janë ndërtuar me lekët e botës, por me lekët e buxhetit të shtetit shqiptar. Të gjitha, komplet. Programet e Konferencës së Donatorëve, janë programe të tjera. BE-ja që dha kontrbutin më të madh me 100 mln do të  ndërtojë pjesën tjetër të shkollave”, tha Rama.

“Mund të kenë hyrë variantet e reja”, Rama: Pas bluzave të bardha vaksinohen të moshuarit mbi 80 vjeç

Kryeministri Edi Rama deklaroi këtë të hënë se në datën 15 Shkurt do të vijë një pjesë tjetër e dozave nga Pfizer. Ai u shpreh gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët në Durrës se me dozat e Shkurtit do të nisë edhe vaksinimi i të moshuarve. Të parët që do ta marrin janë të moshuarit mbi moshën 80-vjeçare. Kreu i qeverisë u shpreh se nga marrëveshja me Pfizer dhe Covax janë kontraktuar 1.6 milionë vaksina.

“Me ardhjen e dozave të Shkurtit do të fillojmë edhe me të moshuarit, por je i ri për të qenë me të parët se do të jenë të parët ata 80+”, tha Rama.

Rama bëri thirrje që të respektohen masat, pasi ekspertët dyshojnë se në Shqipëri kanë hyrë dy mutacionet e reja të koronavirusit ai britanik dhe i Afrikës së Jugut. Rama u shpreh se ky i fundit është edhe më vdekjeprurës.

“Ajo që është e rëndësishme është që të respektojmë masat sepse hyrja e mundshme e varianteve të reja, sidomos variantit jug-afrikan apo britanik, sjell me vete dy gjëra. Këto dy variante të reja kanë dy gjëra të reja, rrisin shumë më tepër tranmetueshmërinë dhe varianti jug-afrikan rrit deri në 30% agresivitetin, pra është më vdekjeprurës. Ne duhet të zbatojmë masat. Nesër Komiteti Teknik do të mblidhet dhe do të shikojmë nëse do të propozojnë masa të reja. Duhet të qëndrojmë në ekuilibër”, tha Rama.

Edi Rama: Vlorën nuk e lë dhe në Durrës dua të jem vetë, është momenti që…

Kryeministri Edi Rama nuk e ka vendosur përfundimisht se ku do të garojë në zgjedhjet e 25 Prillit.

Gjatë një bashkëbisedimi me qytetarët durrsakë, kreu i qeverisë u shpreh se nuk do ta lërë Vlorën, por po mendon që të jetë edhe në Durrës.

Qëllimi sipas tij është që t’i jepet një shtysë më e madhe, zhvillimit në Durrës.

“Lista e deputetëve do të dalë, kur të dalin të gjitha listat, skuadra, të gjithë janë të angazhuar, në fund do të bëjmë të gjitha vlerësimet, në çdo qark do të kemi skuadrën tonë.

Unë vetë mendoj se Vlorën të mos ta lë dhe në Durrës të jem vetë, bashkë me të tjerët, sepse është momenti për t’i dhënë Durrësit një shtytje shumë të madhe, për të bërë jo thjeshtë atë që është bërë me Vlorë, që është një perspektivë e re. Vlora dhe Durrësi janë nevralgjike për Shqipërinë, pasi nëse bëhen dy krahët e turizmit shqiptar, atëherë gjithë Shqipëria merr frymë”, tha Rama./tvklan.al







Të ngjashme