Lehtësira fiskale për kompanitë e programit të rindërtimit

Të gjithë ata banorë të zonave rurale të cilët pas dëmtimeve në banesa nga tërmeti i 26 Nëntorit janë strehuar në çadra, brenda 2020-ës do të futen në shtëpi të reja. Ky ka qenë zotimi i Kryeministrit Rama dhënë nga mbledhja e tretë e Komitetit të Rindërtimit.

Objektivi i radhës është ai për shtëpitë e banorëve që po trajtohen me bono qiraje.

“Lagjet e reja, ambicia ime është që brenda gjashtë mujorit të parë t’i kemi në kantier, do të kërkojë më shumë kohë, por që deri në fund të 2021-shit të kenë filluar akomodimet e banorëve që sot janë me qira në zonat urbane.”

Afate vuri edhe për ndërtimin e qendrave shëndetësore dhe shkollat e shkatërruara nga tërmeti. Ndërsa Ministri i Shtetit për Rindërtimin, Arben Ahmetaj tha se muaji Prill do të jetë edhe fillimi i ndërtimit masiv në territor. Për të gjitha kompanitë që do të jenë pjesë e programit të rindërtimit janë parashikuar lehtësira fiskale.

Deri më tani ka përfunduar vlerësimi i mbi 40 mijë objekteve të dëmtuara nga tërmeti në tre qarqe; atë të Durrësit, Lezhës e Tiranës, nga të cilat 53 janë shkolla. Në total janë shembur 72 pallate. 10225 persona janë strehuar në çadra, ndërsa 3613 persona në hotele. Nga bonusi i qirasë kanë përfituar 6326 familje.

Tv Klan