Kryeministri shpalos prioritetet për vitin e ardhshëm

Videomesazhin drejtuar popullit në këtë fundvit, Kryeministri Edi Rama e nisi me fatkeqësinë që pësoi vendi, tërmetin e 26 Nëntorit. Theksoi se 2020-ta do të jetë viti i shërimit të plagëve.

Ai premtoi se çdo familje në fshat do të jetë në banesën e re brenda vitit të ardhshëm, ndërsa kantieret e ndërtimit të lagjeve të reja do të jenë të ngritura në gjysmën e vitit.

Më pas Kryeministri renditi objektivat e tjera të qeverisë. E cilësoi si tepër të rëndësishme nismën e dixhitalizimit të shërbimeve, ku dokumentet e nevojshme do të sigurohen nga vetë shteti.

Një tjetër ligj që do të votohet në fillim të vitit të ri, është dhe ai ndaj krimit të organizuar. Çdo i hetuar apo dhe i akuzuar, duhet të justifikojë pasurinë.

Në infrastrukturë kreu i qeverisë veçoi disa projekte, si Aeroportin e Vlorës, rrugën Thumanë-Rrogozhinë, apo Tunelin e Llogarasë, që do të nisin punë në 2020-n.

Kryeministri Rama foli pak minuta dhe për veten. Theksoi para shqiptarëve se nuk është i pagabueshëm, por në asnjë rast, gabimi i tij nuk ka qenë i qëllimshëm.

Në fund të videomesazhit, Kryeministri foli për projektin e Minishengenit. Pranon se komentet negative të shqiptarëve të Kosovës e kanë lënduar. Ai përsëriti edhe njëherë qëndrimin se ky projekt ndihmon Kosovën dhe vendet e rajonit drejt zhvillimit, nismë që mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Dhe në fund, videomesazhin u mbyll me urimin për shqiptarët.

Tv Klan