Brenda 2027-ës Korça do të furnizohet me gaz, duke u bërë në këtë mënyrë qyteti i parë në Shqipëri që përfiton nga investimi strategjik i mundësuar nga presidenti i Azerbajxhanit dhe me garancinë e partneritetit të kompanisë Socar. Për kryeministrin Rama, projekti “Nur” është vetëm fillimi i shtrirjes së gazifikimit në mbarë vendin.
“Brenda vitit 2026 kjo punë e bukur synohet të përfundojë dhe në 2027-ën korçarët të jenë të parët që të ndezin çelësin e ngrohjes me gaz. Ne duhet të bëhemi vend sovran nga pikëpamja e energjisë. Ky projekt do të shtrihet edhe në qytetet e tjera.“
Ambicja e Kryeministrit është që brenda kësaj dekade Shqipëria të jetë jo vetëm lider në prodhimin e energjisë në rajon, por njëherazi edhe eskportuese e saj, ku përmed marrëveshjen e nënshkruar pak kohë më parë mes Italisë e Emirateve të Bashkuara.
“Do të na japë ne një pozicion shumë të favorshëm strategjik në aspekt të transmetimit të energjisë dhe të gjitha këto bashkë ndodhin në një proces kur Shqipëria vendosmërisht hedh hapa domethënës për t’u bërë një vend sovran nga pikëpamja energjitike brenda vitit 2028 dhe pastaj Shqipëria 2030, për të qenë një vend eksportues neto i energjisë.”
Gjatë qëndrimit në qarkun e Korçës, Rama pa nga afër edhe parkun fotovoltaik “Erseka Solar”, një nga investimet më të mëdha të energjisë solare, në 120 hektarë sipërfaqe me teknologjinë më të fundit në prodhim dhe monitorim.
Kryeministri inspektoi një sërë investimesh publike, mes të cilave shëtitoren e re të Tushemishtit, rikualifikimin e lagjes së vjetër historike të Pogradecit, rrugën e re të Vjosës, që do të lidhë bregdetin me juglindjen, kinemanë e Maliqit, si dhe rrugën e re Maliq-Lozhan-Strelcë.
Tv Klan