Kreu i qeverisë kërkon edhe bashkëpunimin e opozitës

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar nga mbledhja e qeverisë që të trajtohen sipas nevojës të gjithë të prekurit nga tërmeti vdekjeprurës i 26 Nëntorit.

“Të gjitha familjet të targetohen sipas nevojë që procesi të mos marrë vite e vite. Na është ngarkuar që të merret me familjet e viktimave. Familjeve të vetmuara të Thumanës ju duhen vetëm opsione, nëse dëshirojnë të qëndrojnë aty ose të vijnë në Tiranë. Për familjet që kanë pasur këto goditje ikja në një vend do ishte zgjidhja më e mirë sepse qëndrimi aty ku humbën gjithë ato njerëz do e bënte të vështirë rikuperimin psikologjik të tyre.”

Kreu i qeverisë premtoi se asnjë nuk do të mbetet në qiell të hapur.

“Brenda mesit të Dhjetorit të gjithë do jenë nëpër shtëpia. Kështu me familjet në Durrës dhe kështu me familjen në Tiranë”.

Kreu i qeverisë paralajmëroi se sot do të mbledhë Komitetin Kombëtar të Rindërtimit për të aktivizuar fondin prej 1 milionë lekësh të reja, duke falenderuar në mënyrë të veçantë mbështetjen e partnerëve.

“Fondi prej 1 milionë lekësh te reja do të aktivizohet sot. Reagimi i parterëve është inkurajues. Mos harroni se është edhe një familje në Kosovë që duhet kontaktuar dhe duhet marrë këtë fond”.

Fëmijët dhe pensionistët do të jenë dy kategoritë për të cilat kreu i qeverisë tha se do qeveria do të japë mbështetje financiare në mënyrë të veçantë.

“Fëmijët duhet të marrin bursën duke përfshirë edhe muajin Nëntor. Për pensionistët, nuk bëhet fjala për një pension të çfarëdoshëm, por pensionin e veçantë të Republikës së Shqipërisë. Të gjithë ata që janë pensionistë në këto familje dhe shuma duhet të jetë e lërueshme menjëherë. Nëse do të dhurohet në Dhjetor, brenda do të jetë edhe pensioni i Nëntorit”.

Një vëmendje të veçantë, Kryeministri kërkoi edhe në trajtimin psikologjik të të lënduarve dhe dëmtuarve nga tërmeti i të martës.

“Duhet të ritheksoj aspektin psikologjik. Është betejë e madhe. Krisjet, çarjet, plasaritjet në godina janë po njësoj në mendjen e njerëzve. Janë fraktura, trauma të padukshme që kërkojnë vëmendje të jashtëzakonshme dhe punë shumë të madhe”.

Angazhim maksimal kërkoi për të akomoduarit në hotele.

“Do dëshiroja që Blendi që po merret me akomodimin e tyre në struktura të lira në bashkëpunim me Ogertën dhe Besën të garantoni që kujdes psikologjik të jetë i pranishëm në gjithë këto struktura. Nuk është çështje psikologësh, në atë të specialistëve janë 1, 2 ose 3 , por në aspektin e trajtimit nga stafet aty. Ata nuk janë turistë aty, nuk janë klientë, janë pacientë në këtë moment dhe duhen trajtuar si të tillë me mësuesit që do çojmë atje, me stafet mjekësore dhe ju lutem sa më shpejt listën e ilaçeve të nevojshme nga të gjithë ata aty. Ata që janë në hotele dhe vuajnë nga sëmundje kronike duhet të ketë të gjithë shërbimin përkatës.”

Lulzim Bashën sërish e ftoi t’i bashkohet në këto ditë të vështira që po kalojnë shqiptarët dhe të mos ngurojë, por të ulen të gjithë bashkë për të dhënë idetë dhe mbështetjen e tyre për tragjedinë që përfshiu vendin.

“Më mundon pak mungesa e një elementi. Skepticizmi i opozitës për t’u përfshirë në këtë proces dhe për të pasur përfaqësuesit e vet. Nuk e kuptoj dot refuzimin që forcat politike të ulen në një tryezë. Duhet të reflektohet për këtë. Kjo nuk është politikë. Sepse politika në fakt ka lindur që njerëzit të adresojnë sfida dhe të zgjidhin probleme që nuk zgjidhen kur janë vetëm. Politika duhet të bëjë mrekullira. Nuk e kuptoj dot që të ulet në tryezë përfaqësia e këtij vendi, qenka propagandë.

Nuk dua të bëj asnjë polemikë, por edhe njëherë tjetër i bëj thirrje Lulzim Bashës dhe opozitës të mos ia kursejnë popullit shqiptar këtë nevojë. Është nevoja e njerëzve të shikojnë këtu bashkim, që në këto ditë të zeza ata që nuk e shohin dot njeri tjetrin në sy të bëjnë një hap prej asaj që ka ndodhur. Unë e kam parë me kënaqësi dhe respekt një mesazh të tij që bënte thirrje për bashkim, sepse tingëllojnë si hipokrizi ku nuk ka vepra, po ky nuk është rasti sepse besoj se mesazhi ka qenë i ndjerë”.

Kreu i qeverisë ishte kritik edhe kur iu drejtuar Ministrisë së Punëve të Brendshme në lidhje me reagimin kundër luftës kibernetike dhe lajmeve të rreme e mashtruese. Sipas tij si domosdoshmëri lind nevoja e qetësisë dhe sigurisë tek qytetarët e traumatizuar nga tërmeti dhe pasgoditjet që vijojnë të ndihen ende.

Tv Klan