Kryeministri: Kemi përmbushur kushtet

Kryeministri Edi Rama ishte në Bullgari këtë të martë ku ka zhvilluar një takim me homologun e tij Stefan Yanev. Kryeministri bullgar foli për perspektivën europiane të Shqipërisë. Ai u shpreh se Bullgaria mbështet rrugën europiane të vendit tonë madje edhe të Maqedonisë së Veriut. Megjithatë prej çështjeve të hapura me Maqedoninë duket se Sofje nuk do ia japë dritën jeshile vendeve për Konferencën e Parë Ndërqeveritare. Yanev u shpreh se Bullgaria nuk po pengon integrimin e dy vendeve në BE.

Stefan Yanev: Ne vumë re që nuk kemi çështje që janë të hapura që kanë nevojë për diskutim serioz dhe nevojë të diskutimeve praktike. Marrëdhëniet tona janë në kontekstin më të mirë në interes të popujve. Me kryeministrin Rama tërhoqëm vëmendjen mbi pakicën kombëtare bullgare në Shqipëri që gëzon një prani të shkëlqyeshme dhe mund të shërbejë si ura më e mirë mes dy popujve. Duke folur për perspektivën europiane të Shqipërisë duhet të përmendim edhe faktin që pozita e Bullgarisë për sa u përket Republikës së Maqedonisë së Veriut në njëfarë shkalle është edhe pengesë për perspektivën e Shqipërisë. Shpresoj që pozita jonë, si një ndër partnerët europianë njihet mirë dhe të mos krijohet ideja që Bullgaria po bën diçka që po pengon. Pozita jonë është treguar te demonstrimi i deklaratave tona se rruga europiane si për Republikën e RMV dhe Shqipërisë ne e mbështesim, por pozita e parlamentit bullgar sa i përket RMV është kjo pozitë që e mbron në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe shpresoj që tashmë të mirëargumentuara para partnerëve europianë vërteton se çështjet që kemi për të zgjidhur mund të zgjidhen vetëm në bazë dypalëshe. Nevoja nga ndërhyrje të jashtme dhe këshilla nuk është dëshirë e mirë. Diskutimi është mes dy vende. Dy vendet duhet të gjejnë rrugën e dialogut.

Kryeministri Edi Rama tha se dialogu mes RMV dhe Bullgarisë është një çështje që duhet të zgjidhet vetëm mes dy vendeve.  

Edi Rama: Nga ana tjetër faleminderit për frymën e bashkëbisedimit mes nesh që natyrisht reflekton frymën e marrëdhënieve dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona, marrëdhënie dhe bashkëpunim që siç e thatë dhe ju, siç është dhe e vërteta nuk kanë asnjë cen. Faleminderit për nënvizimin e faktit se Shqipëria është një vend model për trajtimin e pakicave dhe ne ndihemi shumë mirë që pas një nisme, legjislacioni ynë për pakicat u ngrit në një nivel që mund ta them me plot gojën që është niveli i ekselencës në përputhje me parimet dhe standardet e KiE dhe BE-së. Do të thoja që është shumë e rëndësishme, është absolutisht e rëndësishme për ne ta shohim këtë çështje të zgjidhur. Jemi të vetëdijshme që është një çështje mjaft e ndjeshme këtu dhe në RMV. Jemi të përfshirë në këtë gjë në mënyrë të pavullnetshme. Siç të gjithë e dini, Shqipëria dhe RMV po presin vendimin e KiE-së për çeljen formalisht të bisedimeve për anëtarësim. Besoj se mes dy vendeve ka mundësi të mjaftueshme për të intensifikuar komunikimin, dialogun, për ta zgjidhur së bashku. Ka shumë gjëra që i bëjnë të dyja vendet e të dy popujve kaq popuj të afërt, për një të ardhme të përbashkët. Pavarësisht sa të vështira mund të jenë këto çështje mund të ketë zgjidhje. Kur ka vullnet mund të tejkalohen çështjet. Dua ta theksoj se Shqipëria është duke e respektuar këtë. Aktualisht do të vazhdojmë të ecim së bashku me RMV, por gjithmonë shtrohet pyetja sa kohë do kërkojë kjo dhe sa gjatë do presim. Aktualisht jemi në rregull dhe edhe pse është e qartë që i kemi përmbushur kushtet dhe nuk ka asgjë që na  ndan nga Konferenca e Parë Ndërqeveritare, do të respektojmë në këtë moment të dy miqtë dhe vendet mike që duhet ta zgjidhin këtë. Besoj se kjo është diçka që duhet të zgjidhet mes dy vendeve dhe popujve të dy vendeve. Të gjithë të tjerët mund të ndihmojnë por nuk besoj se të tjerët mund të bëjnë apo mund të zëvendësojnë atë çka të dyja palët supozohet të bëjnë dhe duhet të bëjnë. Të gjithë përpiqen të inkurajojnë, por u takon bullgarëve dhe maqedonasve që të dalin së bashku nga kjo situatë./tvklan.al