Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në Kuvend ditën e sotme u ndal tek projektbuxheti i vitit 2021. Kreu i qeverisë deklaroi se buxheti përbën angazhimin më të madh të një qeverie pas komunizmit për sistemin shëndetësor. Ai u shpreh se shëndetësia falas nuk është si heqja e taksave, por për shkak të vizionit janë hedhur hapa të mëdhenj gjatë gjithë kësaj kohe.

Sa i përket, rritjes së pagave të infermierëve dhe mësuesve, kreu i qeverisë deklaroi se nuk bëhen për shkak të Covidit pavarësisht shtrëngesave të pandemisë dhe 26 Nëntorit.

“Përtej rritjes së pagave, ky buxhet përbën edhe angazhimin më të madh të një qeverie në 30 vjet për sistemin shëndetësor. Më vjen shumë mirë se kush shan shëndetësinë hyn në kategorinë e atyre që nuk kanë pasur nevojë që të shkojnë në spitale. Shëndetësia falas nuk është një premtim si heqja e taksës sot për nesër, është një vizon, projekt i madh dhe drejt shëndetësisë falas janë hedhur hapa gjatë gjithë kësaj kohe. Nga 1 Janari në vazhdim të shumë 1 Janarëve është aty, nuk ikën me covidin dhe nuk vjen për shkak të covidit, por bëhet pavarësisht nga covidi. Edhe rritja e pagave të mësuesve është aty, angazhim për sot, për nesër dhe në të ardhmen, i patundur dhe i patundshëm. Janë angazhime financiare të mëdha, jo të vogla në kushtet kur ne jemi si gjithë të tjerët në kaq shumë shtrëngesa të diktuara nga pandemia, dhe një shtrëngesë ekstra ndikuar nga fatkeqësia e 26 Nëntorit”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u ndal edhe tek rindërtimi. Ai u shpreh se qiranë e personave që kanë mbetur pa shtëpi e paguan shteti. Rama tha se Shqipëria ka qëndruar fort për shkak të qeverisë pavarësisht dy goditjeve të forta nga pandemia dhe tërmeti i 26 Nëntorit.

“Në 26 Nëntor do të hapim një numër jo të vogël shkollash të cilat do të jenë më të mëdha seç ishin dhe më të forta seç ishin. Shqiptarët e goditur nga fatkeqësia në strehën e tyre dhe të mbetur në rrugë nga nata e 26 Nëntorit kanë filluar të hyjnë nëpër shtëpi hap pas hapi. Sot që flasim në çdo pjesë të territorit të prekur nga ajo fatkeqësi e madhe shtëpitë individuale po ndërtohen ditë për ditë. Për herë të parë në këtë vend do të ndërtohen lagje të reja me infrastrukturë moderne, rrugore, nëntokësore me të gjitha hapësirat e nevojshme përveçse me apartamente që do të jenë të një cilësie që nuk do të ketë dallim me cilësinë më të mirë të ndërtimeve komerciale. Të gjitha këto shtëpi, njësi tregtare të rindërtuara do të jepen falas për qytetarët”, tha Rama.

Rama tha se qeveria e tij dallon nga opozita për shkak të vizionit dhe ideve.

“Dallimi mes nesh atyre që janë jashtë dhe ju që jeni brenda është jo vetëm tek vizioni, jo vetëm tek idetë, por edhe tek fakti që ne bëjmë atë që themi dhe themi atë që bëjmë. Nuk flasim në ajër, për të kapur ça të kapim, një votë, këtu e një votë atje. Flasim për vizion që e zbatojmë me fakt dhe ky buxhete është një fakt. Nuk i kemi bërë të tëra ato që kemi thënë, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i bëjmë. Jo se e them unë, por e thotë progresi i vazhdueshëm drejt objektivave”, tha Rama./tvklan.al