Rama: Çmimet në aeroportin e Rinasit do të ulen me 25%



Rama: Çmimet në aeroportin e Rinasit do të ulen me 25%

13:01 02/02/2021

Kryeministri Edi Rama ka folur gjatë konferencës së përjavshme me fokus ekonominë edhe për koncensionarin e ri të aeroportin e ri të Rinasit. Ai u shpreh se me koncensionarin shqiptar, aeroporti do të ketë çmime normale.

Rama shtoi se qeveria nuk ka pasur asgjë në dorë, por kompania kineze që e zotëronte. Kreu i qeverisë shtoi se do të ndërtohet terminali i ri, ndërkohë që do të zgjatet pista. Sipas Ramës, çmimet në aeroport do të ulen me 25%.

“Jam shumë i lumtur që aeroporti do të ketë më në fund çmime normale si në gjithë dynjallëkun edhe për shqiptarët sepse ishte aeroporti më i shtrenjtë i Europës dhe ju e dini mirë këtë gjë. Kam marrë mallkime, sharje, ankesa, kam marrë pa fund sepse njerëzit me të drejtë ankoheshin se çmimet ishin më të larta se kudo dhe këtë nuk e kuptonin që nuk e kisha në dorë unë, nuk e kishte në dorë qeveria, e kishte në dorë kinezi me kontratën e bërë shumë kohë përpara dhe s’kishim asgjë për të bërë. Jam shumë i lumtur që aeroporti më në fund do të kthehet në kantier investimesh të reja që nuk janë bërë më përpara nga kinezët. Terminali i ri që do të fillojë menjëherë. Më në fund do të zgjatet pista dhe do të hyjë në parametrat e një piste që do të funksionojë edhe për fluturime për avionët e mëdhenj që bëjnë fluturime transoqeanike. E dini shumë mirë se pavarësisht se na pengoi pandemia, ne nuk kemi hequr dorë nga çuarja e “Fan Nolit” në Amerikë dhe anasjelltas. Padiskutim që efektet do të jenë zinxhirë, është aeroporti me çmimin më katastrofik të jet fuel-it në Europë po se po njëherë. Do të ulen të gjitha dhe faktikisht parashikueshmëria mbi bazën e marrëveshjes së re është që të gjithë, edhe ju, edhe vetë ata që e kundërshtojnë kot këtë gjë, do të kenë udhëtime 25% më të lira. Janë kthimi në normë dhe konkurrueshmëria e aeroportit”.

Kreu i qeverisë u shpreh se kjo nuk bëhet për zgjedhje, por sepse nuk ka kohë për të humbur. Rama shtoi se koncensionari shqiptar nuk e ka marrë nga shteti aeroportin, por e ka blerë nga ish-pronarët kinezë.

“Nuk punojmë për zgjedhjet, se dëgjoj shumë, aq tani që vijnë zgjedhjet. Jo ne kemi punuar çdo ditë maksimalisht dhe nuk ka kohë për të humbur. Ne duam që investimet në aeroport të fillojnë menjëherë dhe investimet do të fillojnë menjëherë. Këtu do jemi dhe do e shikoni. Kur e kishin kinezët nuk fliste njeri. Nuk kam dëgjuar këta të dilnin dhe të thoshin do ta anulojmë kontratën sepse ishte problematike. Sapo e merr një shqiptar që nuk e mori nga qeveria e Shqipërisë, që të jemi të qartë, por ua mori kinezëve dhe u dha paratë. Menjëherë fillojnë xhagajdurët dhe flasin. Kjo është kulmi. Kontrata është krejt e qartë. Krejt transparente. Duhet lexuar ashtu si është”. /tvklan.al







Të ngjashme