Dy objektiva ka qeveria me vendosjen e maskës me detyrim. E para është parandalimi i përhapjes së mëtejshme të Covid-19, ndërsa e dyta dhe jo pak e rëndësishme, për Kryeministrin Rama është shmangia e një mbyllje tjetër të vendit.

“Objektivi tjetër jo më pak i rëndësishëm për të shmangur me çdo kusht një mbyllje tjetër, një mbyllje tjetër e cila po tmerron gjithë botën, që nga Presidenti i Francës që e tha hapur që Franca nuk e përballon dot një mbyllje tjetër, tek kancelarja e Gjermanisë që tha shprehimisht se jeta siç e njohim do të rikthehet, por ky është momenti që të bëjmë më shumë durim se asnjëherë për të mos përmbysur të gjithë sakrificat shumë mujore pas shpërthimit të pandemisë”, tha Rama

Rama tha se Covid-19 është në një ofensivë të dytë dhe është më agresive se e para. Ai u shpreh se virusi po përhapet për shkak se nuk jemi mbyllur dhe se nuk duam të mbyllemi.

“Armiku i padukshëm është në një ofensivë të dytë që duket shumë më agresive se e para dhe gjen hapësirë për faktin se nuk jemi të mbyllur dhe nuk duam të mbyllemi. Nuk duam t’u themi atyre që lëvizin dhe që lëvizjen e kanë pjesë të pandashme të burimeve të tyre të të ardhurave mos lëvizni më. Nuk duam të mbyllim shkollat, nuk duam t’u themi studentëve edhe këtë vit do të rrini në shtëpi. Nuk duam tu themi prindërve me fëmijë të vegjël që kopshtet janë mbyllur”, tha Rama.

Rama prezantoi një rrjet tjetër inspektorësh që do të merren me zbatimin e masave nga qytetarët dhe bizneset.

“Prandaj ne kemi vendosur të krijojmë këtë rrjet inspektoratesh që funksionojnë në ditë normale në mbrojtje të shëndetit të njerëzit, funksionojnë në kohë normale për sigurinë e jetës, që nga puna, tek mjedisi, tek ushqimi, natyrisht tek barnat dhe tek shëndeti dhe për të qenë në rrugë, kudo ku sipas hartës së vënë në dispozicion dhe të përditësuar çdo javë janë edhe burimet më të mëdha të rrezikut. Për të qenë  në rrugë, jo për të vënë gjoba. Gjobat i vë policia, por për të sensibilizuar, për të komunikuar, por natyrisht edhe për të lajmëruar policinë për të bërë detyrën. Për t’u vendosur në udhëkryq sëbashku me punonjësit e policisë që kryejnë detyrën e vet të përditshme dhe për të parë me sytë e shtetit sjelljen e qytetarëve. Politika e vendosjes së maskës ka ndryshuar në dinamikë siç kanë ndryshuar shumë gjëra në qasjen ndaj këtij armiku të padukshëm. Ne jemi përpjekur të jemi nxënës të mirë të zërave dhe burimeve më autoritare të botës. Ne kemi pasur fatin, kur them ne, këtu kam parasysh veten, ministren, qeverinë, që kemi pasur në dispozicion një skuadër ekspertësh që ju siguroj janë të nivelit të lartë ndërkombëtar. Duke dëgjuar jemi adaptuar, siç janë adaptuar të gjithë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se Covid-19 nuk është shaka dhe as grip i zakonshëm.

“Kjo nuk është aspak një shaka, ky nuk është assesi një grip i zakonshëm dhe mbi të gjitha kush preket nga Covid-19 mund të ketë rastin jo fatlum që të kalojë vuajtje të mëdha, për të mos thënë pastaj larg qoftë të ndërrojë edhe jetë”, tha Rama./tvklan.al