Diskutohet për zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull

Kryeministri Edi Rama ndodhet në Athinë, ku do të jetë i pranishëm në forumin e ‘The Ekonomist’.

Dje në mbrëmje ai ishte në një darkë bashkë me homologun e tij grek Kyriakos Mitsotakis.

Zyra e Kryeministrit të Greqisë bën të ditur se të dy kryeministrat patën mundësinë për të diskutuar për rrjedhën e marrëdhënieve dypalëshe, si dhe perspektivën evropiane të Shqipërisë, ndërsa shprehën kënaqësinë për bashkëpunimin brenda NATO-s.

Diskutim i veçantë u bë për Pakicën Kombëtare Greke në Shqipëri, ndërsa theksi u vu në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ekonomike dhe tregtare.

“Në një diskutim dje me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, ne ramë dakord të punojmë së bashku në mënyrë që Greqia dhe Shqipëria të mund të zgjidhin çështjet që kanë mbetur pezull në të kaluarën dhe të lëshojnë potencialin e madh që mund të krijojë marrëdhënia strategjike midis dy vendeve”, bëri të ditur Kryeministri grek në një reagim të tijin lidhur me këtë takim.

Tv Klan