Rama: Dera e BE-së u hap në një kohë të mallkuar

Rama: Dera e BE-së u hap në një kohë të mallkuar

16:43 24/03/2020

Kryeministri Edi Rama e konsideroi lajm të bukur vendimin e Këshillit të Ministrave të Europës sot për të çelur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Kreu i qeverisë përmes një videomesazhi në rrjetet sociale, tha se Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë.

“Sot Shqipëria mori viston për hapjen e negocitave ër anëtarësim në BE. Më në fund, më në fund se për atë Zot u bënë bajat, shty e shty e sajo lloj-lloj vicklash. Ne nuk lodhemi, nuk tundemi nga e jona, megjithëse kjo botë nuk është rrotulluar kollaj për shqiptarët, Shqipëria nuk ka për të humbur asnjë betejë dhe asnjë luftë. As betejën me viruset e vjetra të organizmit tonë shtetëror që do t’i shkatërrojmë deri në fund me reforma dhe durim dhe as me viruset e paragjykimit arkaik të disa vendeve që do t’i asgjesojmë pak e nga pak me të vërtetat tona dhe me durim. Dhe as me këtë virus që po i bën zborin gjithë botës”.

Sipas kreut të ekzekutivit, dera e Bashkimit Europian u hap në një kohë të mallkuar, ku në fakt dyert e shtëpive të shqiptarëve janë mbyllur për shkak të koronavirusit.

Rama u shpreh se do të plotësojë çdo detyrë që vendi të futet në Bashkimin Europian. “Na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që i kemi fëmijëve tanë”, tha kryeministri.

“PO-ja në bllok nga 27 shtete anëtare. Dera e dhomës së pritjes së shtëpisë së BE-së u hap më në fund, në një kohë të mallkuar kur dyert e të gjitha shtëpive tona janë të mbyllura dhe shtëpitë tona nuk presin dot askënd. Shqipëria hyri në një fazë të re të historisë mu në mes të një lufte botërore që askush nuk e di akoma kur do të mbarojë. Ky i sotmi është një lajm i bukur edhe pse i vonuar jo për shkakun tonë që sidoqoftë nuk kemi humbur asnjë ditë duke punuiar dhe duke i bërë detyrat e shtëpisë njësoj sikur ta kishim marrë PO-në qysh kur e merituam. Njësoj do të punojmë, jo se na e kërkojnë ata, por se na e kërkon amaneti i të parëve dhe borxhi që i kemi fëmijëve tanë. Ne nuk do të ndalemi në plotësimin e çdo detyre derisa të hyjmë dhe të ulemi në dhomën e madhe të ndenjes në shtëpinë e BE-së”, u shpreh Rama./tvklan.al




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi