Politika shqiptare ka përkujtuar sulmet terroriste që ndodhën më 11 Shtator të vitit 2001. I pari që reagoi me këtë rast ishte kreu I PD-së, Lulzim Basha, I cili thotë se sulmi I dy dekadave më parë ishte jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë.

“Dy dekada më parë, bota u trondit nga sulmet terroriste të 11 shtatorit jo thjesht ndaj SHBA, por ndaj vlerave të lirisë, demokracisë dhe bashkëjetesës. I bashkohemi përkujtimit të viktimave të terrorizmit, dhe solidaritetit me familjarët e tyre dhe kombin mik amerikan. Ne qëndrojmë në krah të partnerit strategjik të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjes së vlerave, që na bashkojnë në aleancën dhe miqësinë e vecantë mes dy kombeve tona”, tha Basha.

Edhe kryeministri Edi Rama dha mesazhin e tij me rastin e 20-vjetorit të sulmeve terroriste. Ai u shpreh se, ajo ditë hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë.

“20 vjet më parë, 11 Shtatori hyri në histori si dita e zezë e sulmit të egër të urrejtjes barbare kundër qytetërimit tonë, duke goditur mizorisht simbolin e tij, Amerikën, mu në zemrën e saj. Sot e përgjithmonë, 11 shtatori do të mbetet një ditë kujtese dhe vetëdijeje e botës demokratike për vlerat e paçmueshme të lirisë e të demokracisë”, shkruan Rama.

Meta ka përkujtuar ndër të tjera edhe sakkrificën e ushtarëve tanë në luftën kundër terrorizmit.

“Në 20-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, nderojmë kujtimin e paharruar të jetëve të humbura dhe solidarizohemi me familjet e tyre dhe popullin amerikan! Shqipëria dhe SHBA janë të bashkuara në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, në të mirë të interesit të përbashkët të popujve tanë miq. Të vendosur, si vend anëtar i NATO-s, për të përmbushur çdo angazhim kundër terrorizmit ndërkombëtar, ekstremizmit të dhunshëm, autoritarizmit dhe çdo kërcënimi tjetër që rrezikon paqen dhe stabilitetin, kudo në botë. Mirënjohje për sakrificat e të gjithë ushtarakëve tanë dhe personelit mbështetës, që kanë sakrifikuar gjatë këtyre dy dekadave në vijën e parë kundër terrorizmit! I përjetshëm kujtimi i Kapiten Feti Voglit”, shkruan Meta.

Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, ka shkruar se 11 Shtatori është është një ditë për të përkujtuar kujtimin e jetëve të pafajshme të humbura.

“Sulmet e 11 Shtatorit 2001 janë një nga ato ngjarje që vështirë do të shlyhen ndonjëherë nga kujtesa. Por mbi të gjitha, 11 Shtatori është një ditë për të përkujtuar e nderuar kujtimin e atyre mijëra jetëve të pafajshme të humbura atë ditë e për të qenë më të bashkuar se kurrë edhe në emer të tyre, kundër terrorizmit e ekstremizmit”, tha Xhaçka./tvklan.al