Përplasen për reformat dhe premtimet

Kryetari i Partisë Demokratike Luzlim Basha akuzoi qeverinë se në 8 vite ka shënuar vetëm dështime dhe se Edi Ramës i ka ardhur koha të largohet.

Nëpërmjet disa mesazheve të shpërndara nëpërmjet rrjeteve sociale, Basha tha se Rama nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe se Shqipëria për faj të tij ka mbetur në vendnumëro në ekonomi, në punësim, në shëndetësi dhe integrim.

“Edi, njerëzit e sojit tënd përpiqen t’i bindin të tjerët se po të kenë edhe 4 vjet kohë do të arrijnë gjithçka. Por e vërteta është se kjo nuk ndodh kurrë. Ti e ke lënë Shqipërinë në baltë, Edi. 4 vite të tjera nuk të duhen për shqiptarët, sepse për ta nuk të bëhet vonë. 4 vjet të duhen për vete dhe ortakët e tu që pasurohen me milionat e tenderave dhe koncesioneve korruptive. Ik rri me familjen tënde”.

Përgjigjen kreut të opozitës ia ka kthyer vetë Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale.

“Mandatin e Tretë s’do ta kërkoja, po do të kthehesha më në fund në shtëpi për të shlyer borxhet e mëdha që i kam familjes, e sidomos më të voglit nga ne të pestë, nëse nuk do të kishte ende plot gjyshër, prindër e fëmijë që duhen futur të gjithë, deri në fund, në shtëpi e në lagje të reja; nëse nuk do të duhej fituar lufta me Covidin dhe kryer vaksinimi i plotë i njerëzve të këtij vendi, duke kapërcyer një mal me vështirësi; nëse nuk do të duhej përmbyllur reformimi i shëndetësisë, ku pasi është rimëkëmbur gjerësisht infrastruktura e spitaleve e riorganizuar sistemi shëndetësor, duhet përfunduar kjo rimëkëmbje dhe duhet pastruar organizmi i trupës së bluzave të bardha nga abuzuesit e nga batakçinjtë, që njollosin keq punën e mijëra heronjve; nëse nuk do të duhej forcuar progresiviteti i taksimit në favor të atyre që fitojnë më pak, rritur më tej paga minimale dhe pagat në tërësi, tanimë që bazat e ekonomisë janë forcuar, zhvilluar më në fund infrastruktura portuale e aeroportuale, e cila nuk është më një ëndërr po një betejë e nisur konkretisht”.

Rama thotë se askush tjetër përveç tij dhe socialistëve nuk ka as çerekun e fuqisë së ambicies, vullnetit, dijes dhe eksperiencës se fituar në drejtimin e vendit.

Tv Klan