Një përfaqësi e fermerëve, të cilët paraditen e kësaj të enjteje kishin dalë në protestë jashtë godinës së parlamentit zhvilluan një takim me Kryeministrin Edi Rama. Pas takimit ata u shprehën se Rama u premtoi një takim më të detajuar për të biseduar për të gjitha shqetësimet e tyre. Fermerët deklarojnë se vetë Kryeministri nuk është shumë në brendësi të problematikave që kanë. Ata thonë se duhet të ketë rimbursime direkte për fermerët për t’i nxitur edhe më tej, pasi të në kundërt ata thonë e rrezikojnë falimentin.

Ata kërkojnë që të jenë pjesë e diskutimeve përpara se të hartohen të gjitha ligjet dhe projektligjet e paketës së re fiskale.

Këto reagime vijnë në një kohë kur Kuvendi mblidhet pikërisht për miratimin e kësaj pakete. Fermerët thonë se kanë kërkuar edhe më herët që të jenë pjesë e diskutimeve/propozimeve, me autoritetet qeveritare në mënyrë që të diskutohen të gjitha problematikat për të mos arritur në vendimin final të votimit, që më pas sipas tyre, do të ketë edhe pasoja në sektorin e bujqësisë.

Fermerët thanë po ashtu se ndanë këndvështrimet tyre me kryeministrin. Ky i fundit pasi i dëgjoi i premtoi një takim të mëtejshëm më të detajuar për t’u ulur në bisedime dhe për të folur për të gjitha problematikat që sot ka sektori i bujqësisë. Nëse këto nuk do merren parasysh thonë fermerët ata theksojnë se do të vazhdojnë me protestat, në mënyrë që të mbrojnë punën dhe prodhimet tyre dhe të kenë mundësi për një rimbursim direkt.

Pika më kryesore që ka ndezur debate në paketën e re fiskale për vitin që vjen është heqja dhe zerimi i rimbursimit prej 6 përqind për fermerët.

Fermeri 1: E falenderoj kryeministrin që na priti dhe na dëgjoi. Na tha që për momentin kjo është situata, në të ardhmen do të na dëgjojë. Tani ne me shifra nuk marrim vesh. Ne shohim realitetin që jemi në falimentim. Prandaj kërkojmë ndërhyrjen e shtetit. Ne kur blejmë pesticide nuk e dimë se çfarë blejmë prandaj kërkojmë ndërhyrjen e shtetit. Ne na akuzojnë kriminela, por ne jemi punëtorë. Me duart tona ushqehet populli. Ne punojmë për popullin. Nuk punojmë tokat e botës, por tokat tona. E kemi ngritur zërin që të ndihmohemi, që subvencionohemi dhe subvencioni të vijë direkt. Nëse nuk ka mundësi jemi të falimentuar. Kemi shumë hall dhe nuk duhet të na ofendojnë. Duhet të na përkrahin që populli të ushqehet me prodhimet tona jo me prodhimet e vendeve të tjera. Protestat do të marrim mendim, dhe tani po nuk pati zgjidhje edhe do të vazhdojmë. Ne duam që të kemi zgjidhje. Shpresojmë nga kryeministri të kemi zgjidhje. Zgjidhje nuk mund të premtohet tak-fak. Ai tha që do të takohemi në vazhdim dhe do të takohemi që të bisedojmë më mirë.

Fermeri 2: Ne duhet të ishim takuar edhe më përpara institucionalisht sepse sindikata është një organizatë legale. I kemi dërguar kërkesat tona me shkrim që kur u prezantua paketa fiskale. Ne pranuam këtë takim sepse përfituam nga rasti. Besojmë që kryeministri është i painformuar. Diskutuam për heqjen e 6%. Kemi 3 vjet që kërkojmë ndryshimin e formës, por jo heqjen si masë. Në buxhet të shtetit ky 6% është vlerësuar 9 milionë dollarë, por nuk është 9 milionë dollarë. Është 5-fish më shumë. E lamë që këto shifra t’i ballafaqojmë në një takim tjetër formal. I thamë që jemi dakord për ndryshimin e mënyrës së shkuarjes tek fermeri, jo nëpërmjet pikës së grumbullimit, por nëpërmjet faturës tatimore. Ndamë edhe shumë këndvështrime të tjera. Mendojmë që qeveria nuk e njeh gjendjen reale të fermerëve. Mendojmë se jemi përballë miliona eurove investime nga remitancat e fermerëve dhe kredive me përqindje të lartë, sepse 30% e fermerëve nuk kanë porositur për të mbjellur sezonin e ardhshëm sepse kanë 3 sezone që dështojnë për shkak të krizave të tregut. Ramë dakord që cilësia e imputeve bujqësore është e pagarantuar. Jemi të bindur që nëse ekspertët e qeverisë ulen me ne dhe marrin propozimet tona që janë konkrete mund të arrijmë diçka.

Pyetje: A ishte e pranishme ministrja e bujqësisë apo deputetët të zonës?

Fermeri 2: Ishin të pranishëm, por problemi është që kemi një traditë që na thërresin për të dëgjuar dhe pastaj na thërresin për të na tregojnë si punojmë ne. Kryeministri pranoi këtë këndvështrim tonin. Mirë është që ta dëgjosh ne kontekstin real pastaj dëgjoje se çfarë të informojnë nëpunësit e shtetit. Ramë dakord që të ulemi. Pastaj pas disa debatesh ramë dakord të ulemi, të flasim./tvklan.al