Nga një ngrehinë e rrënuar deri në 2013, ish Kompleksi Sportiv Dinamo është transformuar tashmë në një kompleks modern që do të mbledhë bashkë të gjitha strukturat zinxhirë të sportit, federatat, peshëngritjen, mundjen, atletikën si dhe lojërat me dorë. Përmes një ceremonie të veçantë, Kryeministri Edi Rama dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj përuruan sot Parkun e Ri Olimpik duke zbuluar në mënyrë simbolike tabelën emërtuese të sallës moderne të Lojërave me Dorë “Feti Borova”.

Kryeministri Rama falënderoi të gjithë ata që kanë punuar për këtë projekt për ngritjen e një kompleksi modern, ndërsa garantoi se ambicia do të vijojë edhe më tej për ta transformuar këtë zonë në një hapësirë për të gjithë grupmoshat. “Me pak fjalë dua vetëm të them që kjo sallë si dhe godina ngjitur me sallën moderne, më në fund për ngritjen e peshave dhe të gjithë talentet e peshëngritjes, sallën e mundjes, me zyrat për të gjitha federatat e shumësportshit janë vetëm pjesë e projektit që do të zhvillohet më tutje me pishinën e mbyllur olimpike, me fushat e hapura të basketbollit, volejbollit, tenisit dhe futbollit, me godinën e re të Federatës Shqiptare të Futbollit, me pistën olimpike të atletikës dhe si pjesë integrale të parkut të liqenit ku së shpejti do filloj puna për Kopshtin e ri Zoologjik këtu pranë. Ambicia është për ta transformuar të gjithë këtë zonë në një ishull të gjelbër dhe sportiv për të gjitha moshat ku më të moshuarit të kenë pjesën e tyre, fëmijët pjesën e tyre, të rejat dhe të rinjtë pjesën e tyre, sportistët dhe dashamirësit e sportit pjesën e tyre”, tha Rama. Kryeminsitri shtoi se kjo do të ishte e paimagjinueshme 44 muaj më parë. “Nuk dua të zgjatem se unë kam bërë edhe më pak nxemje se edhe ata që janë shumë të stërvitur se unë, kështu që për të shmangur ndonjë tërheqje muskujsh që të na pengojë për pjesën e dytë të ndeshjes kryesore që është për 25 qershorin, po e ndërpres këtu duke i uruar mirësardhjen miqve nga Kosova. Dhe duke falënderuar nga zemra të gjithë ata që punuan për të realizuar këtë sallë që deri përpara 44 muajsh ishte e paimagjinueshme”, tha Rama.

Kryebashkiaku Veliaj falenderoi kryeministrin Edi Rama për mbështetjen që i ka dhënë jo vetëm sportit, por dhe transformimit të Tiranës në një qytet modern. Veliaj kërkoi që më 25 qershor, shqiptarët të mbështesin Edi Ramën për një mandat të dytë për të vijuar me investimet në Tiranë dhe në gjithë Shqipërinë. “Një njeri i cili ka dhënë për sportin, po jep akoma më shumë në krye të qeverisjes shqiptare, një njeri që ndihmoi që Tirana të shkojë në drejtimin e duhur që të shkojë si një qytet modern e të zhvillohet. Ai është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Dua ta falënderoj publikisht për këtë investim për Tiranën dhe mezi pres që ashtu siç ai ka mbështetur Tiranën, Tirana të mbështesë Edin për qytetin që duam dhe për Shqipërinë që duam”, theksoi Veliaj, teksa e cilësoi Parkun Olimpik një hapësirë fantastike.

Më pas, të gjithë iu drejtuan fushës së basketbollit, ku fillimisht u zhvillua një ndeshje miqësore basketbolli mes Old Star të Shqipërisë dhe Kosovës ku morën pjesë dhe Rama dhe Veliaj, e më pas hapësira iu la dy skuadrave kombëtare të të rinjve.

Parku Olimplik do të pasurohet më tej me pishinën e mbyllur olimpike, pistën e atletikës, fushat e hapura të futbollit, basketbollit, volejbollit e tenisit, si edhe godinën e re të FSHF-së. Kompleksi do të jetë i pajisur me dushe, sauna, dhoma zhveshjesh të ndara, akomodim i veçantë për federatat, dhe një fushë olimpike rreth 13 mijë metra katrorë.