Kryeministri Edi Rama akuzon opozitën dhe Presidentin e Republikës për nxitje të dhunës në protestat e zhvilluara pas vrasjes së Klodian Rashës.

Në një reagim në Twitter, Rama thotë se opozita paguan minorenë për të kryer akte dhune nëpër rrugët e kryeqytetit.

Kreu i qeverisë u bën thirrje protestuesve që të mos shkaktojnë dhunë, duke paralajmëruar se loja e forcës me shtetin përfundon prapa hekurave.

Kryeministri Edi Rama: Opozita dhe Presidenti janë jo vetëm nxitësit, po edhe orkestruesit e dhunës që poshtëron kujtimin e Klodianit, gjoja për drejtësi por në fakt vetëm për hesapet politike të Lulit, Saliut, Iilirit, Monikës! Janë të dëshpëruar se s’kanë asnjë shans të rikthehen në pushtet me zgjedhje!

S’kanë më njësi komunale për të mbushur autobuzë, e dinë që përveç turmës së tkurrur të militantëve s’i ndjek më askush dhe paguajnë lart e poshtë deri edhe minorenë, duke u kërkuar të thyejnë e djegin rrugëve të qytetit, që të thonë ja s’ka rend, s’ka siguri, s’ka shtet..

Dhe ndërkohë që polici fajtor del para gjykatës, ministri i Brendshëm jep dorëheqjen (edhe pse aspak fajtor, po qytetar fisnik që njeh ndjesën), Saliu krenohet si ka vrarë e si do vriste akoma, Iliri akuzon policinë, Monika shpërndan gurët, Luli ha përshesh e pret të bëhet dhëndërr!

Thirrja ime për prindërit e minorenëve të abuzuar nga LSI është ruajini fëmijët nga kthetrat e të paudhëve pa atdhe, ndërsa për këdo tjetër që merr rrugët për të thyer e për të djegur, duhet të jetë shumë e qartë që loja e forcës me ligjin e me shtetin mbaron prapa hekurave!