E përshëndet iniciativën e deputetëve gjermanë për të inciuar një paketë dialogu mes tij dhe Lulzim Bashës, por Edi Rama thotë se s’ka nevojë për ndërkombëtarët për të dialoguar me atë që arriti një marrëveshje pas një takimi kokë më kokë më 18 Maj 2017.

Rama thotë se me Bashën pranon dialog por jo negociata për shtyrjen e zgjedhjeve lokale që sipas tij do të zhvillohen brenda afatit kushtetues, 30 Qershorit. Ndërsa është i bindur se deri në atë datë qëndrimi i Lulzim Bashës do të ketë ndryshuar.

I pyetur nëse është duke rrezikuar imazhin dhe ekonominë e vendit që sipas tij po dëmtohen nga protestat e opozitës për të mbrojtur Kushtetutën, përgjigjet: “Po patjetër, ne jemi përgjegjës për të mbrojtur rendin kushtetues”.

Ironizon kur pyetet se çfarë është i gatshëm t’i ofrojë Bashës nëse ulen në tryezën e dialogut, ndërsa kur bëhet serioz zbulon se ajo çka mund të jetë temë diskutimi është reforma zgjedhore.

Për moskandidimin e Vangjush Dakos dhe Qazim Sejdinit thotë se ishte zgjedhje personale e tyre. Ndërsa për Agron Malajn, ish-gardisti i 21 Janarit që do të kandidojë për Bashkinë e Burrelit, thotë se është i informuar zyrtarisht se nuk ka qëlluar mbi protestuesit atë ditë.

Kryeministri vlerësoi sërish punën e Policisë së Shtetit në menaxhimin e protestës së opozitës ditën e hënë.

Tv Klan