“Është ditë e keqe për demokracinë shqiptare kjo e sotmja, s’ka dyshim”.

Kështu Kryeministri Edi Rama komentoi vendimin e opozitës për të dorëzuar në bllok mandatet e deputetëve, por kreu i qeverisë e thotë prerë se nuk do të pranojë kërkesën për të ndërprerë mandatin e tij për të krijuar një qeveri tranzitore.

“Një, ndër shumëçka-të që mund të diskutohen e që mund t’i shërbejnë realisht forcimit të demokracisë nuk është as retorika e dhunshme, as dhuna mbi institucionet, as imponimi me dhunë i ndryshimit të raporteve politike të vendosura nga populli me votë dhe padyshim as ndërprerja e një mandati legjitim qeverisës përmes një kamikazërie politike mbi mexhlisin e jetës parlamentare. Zgjedhësit do ta japin gjykimin kur të vijë radha e tyre, për të folur me votë, qoftë në qershor të këtij viti, qoftë në qershor të viti 2021”.

Megjithatë kreu i maxhorancës shprehet i hapur për të dialoguar me pakicën, duke shtrirë dorën e bashkëpunimit.

“A mund të kishim bërë më shumë për ta ndihmuar procesin e ndërveprimit qeveri-opozitës? Nuk e di, mbase dhe mund të kishim bërë më shumë, por kemi qenë, jemi e do të jemi gati të ulemi e të dialogojmë për gjithçka që i shërben forcimit të demokracisë në vend dhe të institucioneve. Dora e bashkëpunimit dhe e dialogut me opozitën, pavarësisht vetëpërjashtimit të saj ekstrem nga jeta parlamentare është e shtrirë dhe do të mbetet e shtrirë”.

Sipas Ramës, akti i opozitës shqiptare ka shqetësuar seriozisht edhe ndërkombëtarët.

“S’jam megjithatë këtu, sot, për të fajësuar opozitën që fajësinë e saj e ka bërë vetë botërisht publike. S’jam po ashtu aspak i qetë që opozita jonë sot është kthyer në shqetësim real, serioz për partnerët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian”. 

Për kreun e qeverisë, vendimi i opozitës mund të ketë pasoja për integrimin e vendin.

“Është e dëmshme sa të duash për produktivitetin e jetës tonë politike, kjo zgjedhje destruktive e opozitës për të hequr dorë nga mandatet e popullit. Kjo është një goditje që mund edhe të rezultojë fatale për çeljen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian këtë vit. Ashtu sikundër pamjet e turpshme të së shtunës, të cilat bënë xhiron e botës, mund të kenë pasoja jo të vogla mbi sezonin e ardhshëm turistik; pra, mbi ekonominë e punësimin e shqiptarëve dhe investimet e reja në turizëm e jo vetëm”.

Rama përsëriti se akti i opozitës lidhet me frikën nga Reforma në Drejtësi, që sipas tij, do të vazhdojë.

“Nëse futet rregulli i ri i padëgjuar askund në botë, i palexuar kurrë në libra, se kur një opozitë arratiset nga parlamenti, shumica duhet të ndërpresë mandatin e saj e të shkojë në zgjedhje me qeverinë që i pëlqen opozitës. Kjo është logjikë humbësish që, jo vetëm e dinë që nuk fitojnë dot, por kanë humbur dhe arsyen nga dëshpërimi dhe dëshpërimi, lejomëni t’jua them deri në fund, lidhet jo vetëm me pushtetin që iku e nuk duket në horizont, por dhe me drejtësinë e re që po vjen dhe nuk ndalet dot me asnjë shpikje”.

Rama e mbylli me premtimin se mazhoranca do të vazhdojë të punojë me reformat.

“Dallimi nga sot është se ata që ikën do të bëjnë çmos që të përçajnë më shumë. Ne që jemi këtu, do bëjmë çmos që të bashkojmë më shumë”.

Tv Klan