Edi Rama është i sigurt se Partia Socialiste nuk do të marrë më pak se 74 mandate. Ndaj nga Berati, ku u takua me gratë dhe vajzat e qarkut tha se vota e 11 Majit është për Shqipërinë në Bashkimi Evropian dhe jo për vetë atë dhe PS-në.
U kujtoi pse u kishte kërkuar timonin para tre mandatesh.
“Kur ju thosha me jepni timonin, se nuk bëhet reforma në drejtësi me aleanca që duan të shkrijnë SPAK. Ne dorëzuam shpatën. E pavarësuam drejtësinë duke ekspozuar edhe veten tonë. Nuk kemi asnjë në burg nga qeveria, cilido prej tyre është në punën e vetë individualisht. Drejtësia sot ka arritur të bëjë atë që s’e ka bërë më parë dhe unë e thosha më jepni timonin, patjetër që godet edhe brenda nesh ata që kanë problem me ligjin”.
Edhe demokratëve u kërkoi të votojnë PS-në .
Nga Skrapari, kryesocialisiti Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mos votojnë për partitë e reja, për të cilat thotë se bëjnë premtime të parealizueshme. Teksa kërkon fitore të thellë në zgjedhjet e 11 Majit, Rama nuk i kurseu ironitë edhe për Lulzim Bashën.
Të vetmen fitore që i njeh PD është ajo e vitit 1992, ndërsa për fitoren e vitit 2005 bën përgjegjëse përçarjen e PS në atë kohë.
Qytetarëve u premtoi ndërtimin e rrugës Skrapar-Berat gjatë mandatit të katërt.
Në Poliçan, Rama tha se Shqipëria, ashtu si Europa, po i jep rëndësi industrisë ushtarake, duke u zotuar për ndërtimin e një kombinati në këtë zonë.
Gjatë këtyre takimeve, Rama tha se tashmë ka ardhur momenti i ndërtimit të akseve të mëdha kombëtare që na lidhin me rrjetet europiane si, Korridori Blu, Korridori 8, por edhe i hekurudhave.
Klan Neës