Në Fier, kryeministri Edi Rama foli përmes hartës së Shqipërisë për të gjitha projektet infrastrukturore që synohen të bëhen realitet brenda kësaj dekade. E nisi me rrugën Elbasan-Tiranë e deri te ajo e Fierit, duke theksuar se do ndërtohen autostrada të kategorisë A me standardet europiane. Tha se gjithë logjika e bërjes së akseve rrugore do bazohet në dy pika kryesore.
“Rruga Elbasan-Tiranë ka kushtuar 3-fishin e tenderit ishte rrugë absurde, pa projekt, pa projekt gjeologjik. Në rrugën që shkon drejt Fierit, do duhet t’i shmangemi aksit ekzistues. Ajo s’është autostradë, është rrugë rreziqesh, kështu është katandisur. Sepse është projektuar keq dhe lënë me godina përreth. Me këto projekte do kemi dy autostrada të kategorisë A, që lidhin Shqipërinë me gjithë rrjetin e autostradave të BE-së. Kur lançuam Korridorin blu talleshin me ne, dhe po ashtu Korridorin e 8-të. Logjika e të gjithë pjesëve të tjera të investuara dhe për t’u investuar është ajo e bërjes së rrugëve për të sjellë më shumë ekonomi, qoftë për njerëzit që i aksesojnë apo në shkallë kombëtare dhe për të hapur shtigjet dhe për të rritur hapësirën në shfrytëzim të një vendi që ka ambicien të bëhet kampion i turizmit në Ballkan.”
Parashikoi që brenda kësaj dekade, Shqipëria turistike të jetë në të njëjtin nivel me Zvicrën apo Austrinë.
“Po të shohin sot Shqipërinë turistike, ne faktikisht kemi një shfrytëzim shumë intensiv të një fashe shumë të ngushtë që është ajo që i përket detit dhe të pikave ende shumë të rralla brenda në territor. Pasuria më e posaçme e shqiptarëve nuk është kjo, është mbi të gjitha zonat malore të Shqipërisë, sepse aty në një fazë tjetër Shqipëria do mund të çlirojë kapacitete të një turizmi që sjell konsumatorë të nivelit të lartë. Ajo që e bën unike Shqipërinë është se të dyja këto i ka shumë afër. Është e vogël dhe ka dy dete, ka 9 lumenj që e përshkojnë, ka vargmale shumë afër detit. Pa llogaritur liqenet e mëdha dhe një numër shumë të madh liqenesh të vogla”, tha kreu i qeverisë.
/tvklan.al