Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria do të japë për biznesin e vogël dyfishin e shumës së deklaruar në tatime.

Në një komunikim me qytetarët në Facebook, shefi i qeverisë bëri me dije se çdo kryefamiljar i vetëpunësuar, por edhe bashkëshortja e tij e cila nuk figuron e punësuar, do të marrin secili pagën e tij, në një kohë kur për shkak të situatës së krijuar nga koronavirusi, këto biznese janë mbyllur.

Sot kam dhënë miratimin për disbursimin e mbështetjes financiare mujore. Të punësuar e të vetëpunësuar në një biznes të vogël, familje që jetojnë me ndihmë ekonomike. Në regjistrin e deklarimeve mujore shpeshherë paga e vetme e deklaruar në shtet është ajo e kryefamiljarit. Rruga e shkurtër do të ishte të thoshim dakord po i japim kryefamiljarit pagën minimale të deklaruar nga ai vetë, pra 710 milionë janë pagat e deklaruara nga biznesi i vogël. Por ka një shprehje të bukur, kur thotë i takon me ligj dhe me zakon. E dimë se ka shumë familje të vetëpunësuara, por kryefamiljari bashkëshorten e deklaron të punësuar pa pagë. Mirë ligji, po zakoni si e do në këtë luftë? Prandaj nuk mund të mjaftohemi me aritmetikën e numrit të vetëpunësuarve. Ne do të shkojmë përtej këtij numri. Do t’ja japim edhe gruas së atij kryefamiljari pagën e luftës. Çdo i regjistruar me pagë, pa pagë, do të marrë një pagë lufte dhe shuma 710 milionë Lekë të reja e pagave të deklaruara nga ata që e kanë mbyllur biznesin e vogël, do të bëhet 57 miliardë Lekë të reja. Pra, shteti do t’i japë biznesit të vogël dyfishin duke kompensuar të gjithë të punësuarit apo vetëpunësuarit që nuk punojnë dot sot në kohë lufte”, deklaroi Kryeministri Edi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh gjithashtu se për familjet në nevojë do të jepet dyfishi i ndihmës ekonomike.  /tvklan.al