Basha propozon plan 8 pikësh

Kryeministri Edi Rama ka qetësuar qytetarët e karantinuar se do të paguhen për ditët e qëndrimit në shtëpi. Ditën e enjte ai paralajmëron se qeveria do të bëjë publik planin e masave për garancitë financiare dhe kompensimin e pagave të munguara për çdo biznes.

“Ju lutem të gjithë atyre që janë në shtëpi pas mbylljes së aktivitetit ekonomik, të rrinë të qetë dhe bëjnë durim, të enjten do të kemi gati planin e garancisë financiare për kompensimin e pagave të munguara të çdo biznesi. Nuk do të vijë fundi i muajit pa pagën e gjithkujt ndër ju që qëndron në shtëpi si pasojë e mbylljes së biznesit ku punon. Durim ju lutem dhe besim që po punojmë papushim për të mos lënë asnjë vetëm në përballimin e pasojës financiare të mosvajtjes në punë”.

Por kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i sugjeron të vërë menjëherë në zbatim një plan 8 pikësh për t’i ardhur në ndihmë ekonomisë.

“Të pezullohen pagesat e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për një periudhë 3-mujore (shlyerja e këtyre pagesave të bëhet me këste 12-mujore në periudhat pasardhëse). Në rast nevoje, kur biznesi shfaq pamundësi financiare, të paguhen nga buxheti i shtetit pagat e punonjësve për një periudhë 2-mujore, sipas kritereve të mirëpërcaktuara për të shmangur abuzimin.

Përjashtimin nga tatim fitimi për 6-mujorin e parë të vitit dhe të pezullohet tatim fitimi për pjesën e mbetur të vitit (e cila të paguhet me 4 këste gjatë vitit 2021). Pezullimin dhe fshirjen e pagesave të faturave të energjisë dhe të ujit për të gjithë konsumatorët (familjarë nën minimumin jetik dhe biznese të vogla e të mesme) në zonat (bashkitë) ku virusi COVID-19 është shfaqur”.

Basha propozon gjithashtu edhe disa masa për shtresat në nevojë dhe qytetarët e prekur nga tërmeti që jetojnë në kushte të vështira.

“Furnizimin me ushqime dhe detergjent të të gjithë familjeve që janë në pamundësi ekonomike. Mundësi për të furnizuar me ushqime të moshuarit që jetojnë vetëm dhe janë më të rrezikuarit nëse dalin në rrugë”.

Pjesë e masave të propozuara nga kreu i opozitës është edhe pezullimi i shkëputjes së furnizimit me ujë dhe energji elektrike deri në tejkalimin e kësaj gjendje, përjashtim i kamatvonesave dhe gjobave, si dhe i taksës së pronës dhe tarifave vendore për një periudhë 3-mujore.

Por në kundërpërgjigje, Kryeministri Rama e ka cilësuar maskaradë planin 8 pikësh të propozuar nga Basha. “Me këtë i bie – thotë kreu i qeverisë – që t’ia bluajmë kockën vendit dhe t’u hamë fëmijëve gjithçka më shpejt sesa koronavirusi. Mirë virusi e mirë gjithë ky mal me halle mbi kokën e popullit, po s’të le as 7×7=42-shi me masat fantastike që i përsërit duke folur në gjumë! Fli o xhan fli se të erdhi dita po pas duarve laj edhe sytë që ta kuptosh se je zgjuar e mos i tregosh miletit si duket virusi nga Hëna”, vijon komentet e tij Kryeministri Rama.

Rama ka qetësuar edhe biznesin që po has probleme me pagesat e kësteve të kredive në banka, duke sqaruar se një grup i përbashkët pune do të nënshkruajë një dokument të përbashkët me Gurvernatorin e Bankës Qëndrore për t’i dhënë sa më parë zgjidhje problematikës së krijuar.

Tv Klan