Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë të shtunë se synimi i qeverisë për mandatin e tretë është që të sjellë në vend universitete të njohura dhe me emër të botës.

Sipas Ramës një prej tyre është ardhja e universitetit teknologjik të Stambollit, por jo vetëm. Ai tha se po punohet me SHBA-në për akademinë ushtarake.

Kreu i qeverisë u shpreh se me ardhjen e universiteteve të njohura botërore studentët do të kenë mundësi më shumë.

“Është e rëndësishme që të shtojmë përpjekjet që t’i japim arsimit tonë të lartë cilësi, që universitetet të fitojnë në cilësi. Universiteti me reformën tonë ka marrë autonomi të madhe, por shfrytëzon nga njëra anë lirinë, por nuk shfrytëzon përgjegjësinë. Tjetra është që ambicia jonë është që në mandatin e tretë të shtyjmë shumë për të sjellë këtu universitete që janë me nam, që janë universitete me reputacion në vende të mëdha. Hapi i parë është ardhja e universitetit teknologjik të Stambollit, ku ne kemi pasur për 6 vjet eksperiencën e bukur të studentëve shqiptarë që kanë dalë me rezultate të shkëlqyera. Kjo do u japë mundësi shumë më tepër studentëve shqiptarë që të shkojnë në një universitet ndërkombëtar, por të mos ikin nga shtëpia. Nga ana tjetër është një universitet që funksion perfekt për tregun. Që nga teknologjia e lartë që nga spektri i teknologjive të ndryshme duke krijuar një prurje ekspertësh për shumë aspekte të tregut që ka nevojë të madh. Uroj dhe besoj që do të kemi universitete të tjera që do të sjellim. Nga njëra anë duke hapur degë të veçanta përfshirë brenda universiteteve tona. Një tjetër projekt që po punojmë me SHBA është akademia ushtarake. Transformimi i saj në një akademi amerikane me profesorë me kurrikula nga SHBA. Kuptohet miks edhe me profesorë shqiptarë”, tha Rama./tvklan.al