Rama: Zgjerojmë paketën financiare për Prillin

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një mbledhje online me të gjithë drejtorët e bankave të nivelit të dytë dhe Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë.

Qëllimi i mbledhjes ishte vënia në funksion e paketës financiare për kompanitë e mëdha që nuk ushtrojnë aktivitetet dhe kanë vështirësi për pagesën e punëtorëve.

Garancia sovrane që do të japë shteti, mundëson uljen e riskut për bizneset që do të marrin kredi apo overdraft për pagat e punonjësve duke përfituar një interes të ulët që bankat do të ofrojnë për ta.

Edhe në një njoftim të Bankës së Shqipërisë thuhet se u diskutua mundësia për ta shfrytëzuar atë sa më tepër, me një qasje sa më pozitive, fleksibël dhe proaktive nga ana e sektorit bankar. Qëllimi është që të sigurohet përfitimi i sa më shumë njerëzve, duke qenë se kredia e akorduar për këtë qëllim konsiderohet praktikisht me rrezik 0, si rrjedhojë e garantimit nga sovrani.

Procesi i riskedulimit të kësteve të kredive për të akomoduar sa më tepër kërkesa të ardhura nga ata klientë, gjendja financiare e të cilëve është ndikuar negativisht nga kjo situatë, në mënyrë që të lehtësohet barra e tyre financiare e momentit ishte në fokus të videokonferencës me kreun e qeverisë.

Në kuadër të masave të marra nga qeveria është trajtuar edhe hapja e llogarive të reja bankare për të gjitha ato palë që do të përfitojnë nga paketa sociale e vënë në dispozicion nga qeveria dhe që aktualisht nuk janë të pajisur me një llogari. Për të lehtësuar këtë proces, u diskutua hapja e këtyre llogarive në një kohë sa më të shkurtër dhe pa kosto të panevojshme. Për të shfrytëzuar në maksimum oraret e lejuara të lëvizjes së popullsisë, u trajtua edhe opsioni i lehtësimit të lëvizjes së punonjësve të bankave përtej orarit të lejuar.

Këtë të mërkurë edhe Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë është mbledhur për të diskutuar stabilitetin financiar të vendit.

Në deklaratën e bërë, Këshilli i Bankës Qendrore njofton se qëndrueshmëria e sistemit bankar do të ruhet, pavarësisht sfidës së paprecedentë që po përballet ekonomia nga pandemia e Covid-19.

Banka e Shqipërisë shprehet se në bashkëpunim me bankat në vend dhe autoritetet shtetërore do të përdorë të gjithë instrumentet për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit.

Tv Klan