Kryeministri Edi Rama shprehet se qeveria po e fiton hap pas hapi betejën me rindërtimin për të gjitha familjet e prekura. Në një postim në rrjetet sociale ai shkruan se askush nuk e besonte pas tërmetit që do t’ia dilnin me rimëkëmbjen.

“Mos e harroni që të nesërmen e tërmetit askush s’e besonte që do t’ia dilnim rimëkëmbjes së atyre mijëra e mijëra familjeve të mbetura pa strehë – por ne po e fitojmë hap pas hapi betejën e Rindërtimit, për të gjitha ato familje dhe për Tiranën, Durrësin, Kurbinin, Krujën, Vorën, Kamzën, Lezhën, Mirditën, Kavajën, Rrogozhinën e krejt Shqipërinë”.

Sipas Ramës, po njësoj vendi do t’ia dalë edhe me vaksinimin antiCovid. Kreu i qeverisë shprehet se hap pas hapi do të sigurohen vaksinat për të gjithë popullin.

“Po njësoj do t’ia dalim vaksinimit të të gjithë qytetarëve të këtij vendi, hap pas hapi, duke e kapërcyer malin e vështirësive, siguruar të gjitha dozat e nevojshme dhe vaksinuar krejt popullin aspak më vonë se sa vendet e tjera, në Europë e në rajon po se po”. /tvklan.al