Rama: Ta harrojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë



Rama: Ta harrojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë

12:18 11/12/2020

“Dhunuesit do të përballen me forcën e ligjit”

Një ditë pasi njoftoi dorëheqjen e Sandër Lleshajt nga posti i Ministrit të Brendshëm, Kryeministri Edi Rama është i prerë kur vjen puna tek kreu i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu.

“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të Brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!”, shkruan ai në një postim në Twitter.

Rama thotë se “Policia e Shtetit as do merret dot peng, as do lëkundet dot nga politika e vjetër e dhunës e nga dhunuesit e nxitur prej saj! Policia e Shtetit nuk është një polic që vrau e që sot është në duart e drejtësisë dhe kush nuk do të respektojë ligjin do përballet me forcën e ligjit!”

Kryeministri thekson se askush nuk do të lejohet të rrënojë atë që është ndërtuar me mund, siç është edhe Policia e Shtetit.

“Ne nuk do të lejojmë askënd që të rrënojë çka është ndërtuar me mund e me punë të madhe dhe Policia e Shtetit është një nga shembujt e ndryshimit, që vazhdon me mundin e shumë njerëzve çdo ditë! Shantazhet dhe dhuna ndaj policisë nuk kanë lidhje as me lirinë as me demokracinë!”, e mbyll reagimin e tij Kryeministri Edi Rama.

Pasditen e së enjtes, në një konferencë për shtyp kreu i qeverisë njoftoi se Sandër Lleshaj i kishte paraqitur dorëheqjen, pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv i policisë.

Pavarësisht kësaj, protestuesit morën rrugët e Tiranës duke kërkuar edhe largimin e Ardi Veliut. Mbrëmjen e shkuar kryeqyteti u shndërrua në një arenë lufte. Protestuesit u përplasën me policinë e dëmtuan disa institucione, që nga Ministria e Brendshme e deri tek Muzeu Kombëtar. Ata nuk kursyen as tabelat e qarkullimit rrugor e semaforë, ndërsa koshave të plehrave i vunë flakën.

Këtë të premte, Policia e Shtetit njoftoi arrestimin e 59 personave dhe procedimin e 116 të tjerëve./tvklan.al







Të ngjashme