Brenda 100 ditëve do të mbyllen të gjitha thertoret që nuk përmbushin standardet higjieno-sanitare.

Paralajmërimin e bërë gjatë Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, kryeministri e përsëriti gjatë prezantimit të drejtorit te ri të AKU-së.

“Fillimi i punës është që brenda 100 ditëve në Republikës e Shqipërisë nuk duhet të ketë asnjë pikë gjaku në rrugë. Mbyllja e thertoreve, të gjitha thertoreve, që janë jashtë standardeve dhe që therin në rrugë, është plani prioritar i AKU-së për këto 100 ditë.”

Për Autoritetin Kombëtar të Ushqimit, që në mandatin e kaluar u drejtua nga PDIU, aleate me socialistet, kryeministri tha se ka vepruar si bandë gjobëvënëse.

Akuzat ai iu drejtoi dhe krerëve rajonalë të kësaj agjencie, të cilëve u kërkoi dorëheqjen nëse kanë ardhur në këtë detyre si emërime partiake.

“Vetëm institucion nuk është. Një vatër e infektuar nga korrupsioni, ku gjobëvënia për qëllime korruptive është standard. Edhe këtu ndër ju ka plot njerëz që duhet ta kuptojnë vetë që duhet të largohen, për shkak të fakti se kanë ardhur si rezultat i partive. Drejtuesi i ri i AKU-së vetë është në provë në këto 100 ditë. T’i pritet fyti babëzisë që e ka pushtuar AKU-në me gjobaxhi që terrorizojnë kë t’i dalë përpara. Për çdo gjobë që do të vendoset duhet të ketë një argumentim shumë të qartë, ndryshe kush vë gjobë do të largohet nga puna.”

Në krye të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit do të jetë Agim Ismaili, ish –nëndrejtor i drejtorisë së pastrimit të parave.

Tv Klan