Kryeministri Edi Rama tha këtë të martë se Shqipëria duhet të përgatitet për një valë të dytë infeksionesh.

Kreu i qeverisë u shpreh se situata është problematike sepse me relaksimin e masave edhe njerëzit nuk po i zbatojnë si më parë ato.

Për këtë arsye, sipas kreut të ekzekutivit, vendi duhet të përgatitet për një valë të dytë sepse “çdo gjë mund të ndodhë”.

“Ne duhet ta përgatisim sepse çdo gjë mund të ndodhë. Duhet të jemi gati. Është shumë problem kjo situatë e hapjes sepse edhe mënyra si shkoi gjëja, njerëzit u relaksuan. Shumica e kupton që ishte rezultat i shtrëngimit të fortë, por megjithatë jeta, rutina, zakonet janë shumë të forta, kështu që ne duhet të përgatitemi për eventualitin e një vale tjetër. Po lexoja një artikull për gripin spanjoll, vala e dytë ishte do Zoti mos na sjell para një sprove të tillë, por duhet të jemi të përgatitur”, tha Rama gjatë vizitës që bëri në depun e re farmaceutike të QSUT-së.

Kryeministri shoqërohej nga ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, e cila tha se edhe pse numrat e infektimeve janë ulur, sërish jemi të riskuar.

“Është edhe njëherë për të thëne se duket në dukje që numri është ulur, alerti është shumë i madh. Strukturat tona po vijojnë të punojnë për të minimizuar riskun dhe për të kufizuar infeksionin. Ende jemi në një periudhë risku edhe pse numrat duket se janë në ulje”, tha Manastirliu. /tvklan.al