Kryeministri inspekton investimet në Elbasan

Edi Rama këmbëngul se e ardhmja e bujqësisë duhet të jetë bashkimi i fermerëve në forma të ngjashme me kooperativat bujqësore, por tanimë të ardhurat mos t’i shkojnë shtetit, por vetë familjeve ne fshat. Kryeministri ishte në zonën e Elbasanit ku u inaugurua aksi i ri rrugor Kuqan-Bujqës-Jagodinë-Murriqan-Thanë, që sipas tij do të ndihmojë zhvillimin bujqësor e rural.

“Rruga do të lehtësojë produktet bujqësore të Elbasanit në qendrat e grumbullimit në Lushnje. Vetëm në dy muaj, nga janari-në 15 mars nga prodhimi i lakrës prodhohet në vlerë rreth 2 milionë dollarë, e cila është e gjitha e kontraktuar për eksport. Prodhimi shkon në vendet përreth, por edhe më tej në Europë. Aksesi i rrugës na jep mundësi ta çojmë në pika më tej prodhimin dhe shpresojmë që vitin tjetër për të njëjtën periudhë kohore të kemi dyfishin e kësaj vlere.

Ne po i heqim dhe do t’i heqim përfundimisht të gjitha ato tezgat e rrugëve se ato janë një skandal. Kështu që të bashkohen njerëzit, jo si në atë kooperativën e dikurshme që punonin të gjithë dhe i mblidhte vetëm shteti, por këtu të gjithë punojnë dhe secili merr atë që i takon. Bashkë për të përcaktuar çfarë do të prodhojmë, bashkë për të përcaktuar si do ta prodhojmë, por secili prodhon vetë dhe në shitje të gjithë bashkë”, tha Rama.

Një tjetër aks i përfunduar që u vizitua nga kryeministri është Grekan-Shelgu-Gjyrale që fal këtij investimi po e kthen zonën në një hapësirë tërheqëse për agrikulturën.

Këtë fundjavë është inauguruar dhe faza e 3 e programit të Rilindjes urbane të Belshit që sipas kryebashkiakut të këtij qyteti ka nxitur investime të rinjsh, më së shumti të kthyer nga emigracioni, për të ngritur sipërmarrje të vogla.

Mungesa e ujit të pijshëm është një problem i vjetër i zonës që duket se do të marrë zgjidhje me investimin që ka nisur për ujësjellësin e ri të Belshit.

Tv Klan