Presidenti Ilir Meta, Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të këngëtarit dhe Artistit të Merituar, Sherif Merdani.

Meta e konsideron Merdanin këngëtarin e lirisë që kaloi shumë vuajtje nga regjimi komunist i asaj kohe.

“Këngëtari i lirisë, Sherif Merdani u nda sot prej nesh duke lënë pas shumë dhembje. I burgosur politik, së bashku me të tjerë artistë të mëdhenj pas Festivalit të 11-të të muzikës së lehtë shqiptare, ai kaloi një kalvar të gjatë vuajtjesh pse guxoi të jepte një dritë shprese, nëpërmjet artit, në periudhën më të errët për vendin. Ngushëllime familjes dhe komunitetit të artistëve për këtë humbje të pazëvendësueshme! Sherif Merdani do të kujtohet përherë me nderim dhe respekt! “…Dhe me diellin çdo mëngjes, po, po, ‘Let it be’, kam për të kënduar”.

Kreu i qeverisë Edi Rama ka postuar në Facebook një foto të këngëtarit ku shkruan “Lamtumirë Sherif Merdani”.

Ndërsa kryedemokrati Basha thotë se zëri i Sherif Merdanit kumboi edhe në errësirën e burgjeve të komunizmit.

“Me trishtim mësova lajmin e ndarjes nga jeta të artistit të njohur Sherif Merdani. Sherifi ishte një nga artistët më të spikatur të brezit të tij. Zëri dhe arti i tij kumboi fort dhe në errësirën e regjimit dhe të burgjeve të komunizmit në të cilat ai kaloi 16 vite të jetës. I shpreh ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, miqve dhe të gjithë komunitetit të artistëve shqiptarë që sot humbën të afërmin dhe mikun e tyre! Shpirti i tij u prehtë ne paqe”.

Sherif Merdani u nda nga jeta në moshën 81-vjeçare pasi vuante nga një sëmundje e rëndë. /tvklan.al