Kryeministri dhe kryeopozitari u shfaqën të dy të hapur për t’u takuar, por kjo nuk do të ndodhë, të paktën jo këtë fundjavë siç propozoi Edi Rama këtë paradite.

Drejtorja e kabinetit të Kryeministrit ka rinisur një komunikim me homologen e saj në selinë blu, për të fiksuar një takim mes dy shefa të tyre.

Shefja e Kabinetit të Kryeministrit Vali Bizhga i është drejtuar me një letër znj. Gerta Deljani, ku i shpreh gadishmërinë e z.Rama për ta pritur Bashën të shtunën në orën 11:00, por e le të hapur mundësinë e një orari tjetër, i cili mund të vendoset nga ai vetë.

Por nga kampi opozitar, mësohet se z. Basha do të niset këtë të premte për në Luksenburg për të marrë pjesë në festimet e 40 – vjetorit të krijimit të Partisë Popullore Europiane dhe në Tiranë do të jetë vetëm ditën e martë. Për këtë arsye, Basha e ka lënë të hapur mundësinë e takimit për të mërkurën.

Ai e kishte bërë të ditur edhe pas takimit informal që zhvilloi me socialistin Pandeli Majko, se nuk do të ishte në Tiranë gjatë kohës që do të mbaheshin punimet e Asamblesë së Përgjithshëm të NATO -s, nga 28 deri në 30 Maj.

Nuk dihet nëse stafi i Kryeministrit ishte në dijeni të këtij detaji, kur fiksuan datën e ftesë për kryedemokratin.

Në letër thuhet se Rama ka zgjedhur si vend – takim sallën e hartave në Kryeministri, për shkak të gadishmërisë së shprehur nga Basha t’ia lenë në dorë Kryeministrit këtë zgjedhje.

Në letrën e znj. Bizhga thuhet se Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino ndërsa i lë në dëshirën e Bashës, përfaqësuesit që do ta shoqërojnë.

Kryeministri ka vendosur edhe temat që preferon të diskutohen në këtë takim me Bashën, siç janë Reforma në Drejtësi, Reforma Zgjedhore, por dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët.

Tv Klan

letra e rames letra e bashes